Si mediokriteti i elitave po e shtyn qytetërimin drejt krizës më të madhe të shekullit XXI...
I.
Ka momente në histori kur njerëzimi nuk vihet në provë nga mungesa e pasurisë, e teknologjisë apo e fuqisë ushtarake. Vihet në provë nga mungesa e njerëzve të aftë për t'i përdorur ato me urtësi. Pikërisht me këtë paradoks po përballet sot bota. Nuk ka ekzistuar kurrë një qytetërim më i pasur, më i arsimuar dhe më i avancuar teknologjikisht se ky i shekullit XXI.
Asnjëherë më parë njeriu nuk ka pasur në dorë kaq shumë dije, kaq shumë mjete komunikimi, kaq shumë mundësi për të parandaluar luftërat dhe për të ndërtuar mirëqenie. Megjithatë, rrallëherë në historinë moderne planeti është dukur kaq i pasigurt për të ardhmen e tij.
Nga Ukraina në Lindjen e Mesme, nga Deti i Kinës Jugore në Afrikë, nga Kaukazi në Ballkan, krizat shumëfishohen, konfliktet zgjaten dhe diplomacia humbet terren përballë logjikës së forcës. Organizata e Kombeve të Bashkuara duket më e pafuqishme se kurrë, e drejta ndërkombëtare interpretohet sipas interesave të momentit, ndërsa fuqitë e mëdha flasin gjithnjë e më shumë me gjuhën e kërcënimit dhe gjithnjë e më pak me gjuhën e kompromisit.
Shumë analistë përpiqen ta shpjegojnë këtë realitet me rivalitetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, me ambiciet e Rusisë, me konfliktin izraelito-palestinez apo me garën globale për energjinë dhe teknologjinë. Të gjitha këto janë të vërteta. Por ato shpjegojnë vetëm sipërfaqen, janë vetëm maja e ajsbergut.
Në thelb, bota po përjeton një krizë shumë më të thellë.
Një krizë lidershipi. Ndoshta më të rëndën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Luftërat nuk janë shkaku. Janë pasoja.
Shkaku është rënia e cilësisë së elitave politike.
Historia na mëson se periudhat më të rrezikshme nuk kanë qenë ato kur kanë munguar armët, por kur kanë munguar burrat e shtetit. Luftërat nuk kanë përfunduar vetvetiu. Ato janë ndalur sepse në momente vendimtare kanë ekzistuar njerëz që kanë ditur të shohin përtej betejës së radhës.
Churchill, De Gaulle, Adenauer, Alcide De Gasperi, Truman, Eisenhower, më vonë Willy Brandt, Helmut Kohl, François Mitterrand, George H. W. Bush, Václav Havel apo Nelson Mandela nuk ishin njerëz të pagabueshëm. Disa prej tyre morën vendime të debatueshme, të tjerë gabuan rëndë në çështje të caktuara. Por të gjithë kishin një tipar të përbashkët: e kuptonin se pushteti nuk ishte pronësi personale, por përgjegjësi historike.
Ata mendonin në dekada. Sot politika mendon në sondazhe.
Ata ndërtonin institucione. Sot ndërtojnë fushata marketingu.
Ata konsultonin diplomatë, historianë, ekonomistë dhe gjeneralë përpara se të merrnin vendime që mund të ndryshonin fatin e kombeve.
Sot një deklaratë në rrjetet sociale mund të peshojë më shumë se një analizë strategjike e përgatitur për vite me rradhë.
Ky është degradimi i madh i politikës moderne.
Aristoteli e quante politikën art të nivelit të lartë, sepse ajo kishte për detyrë të kërkonte të mirën e përbashkët. Mbi këtë ide u ndërtuan shtetet moderne. Mbi këtë filozofi u ngritën demokracitë perëndimore. Max Weber, një nga mendimtarët më të mëdhenj të shtetit modern, dallonte mes etikës së bindjes dhe etikës së përgjegjësisë. Për të, burri i shtetit nuk mund të udhëhiqej vetëm nga bindjet personale. Ai duhej të mbante mbi supe peshën e pasojave të çdo vendimi.
Sot kjo etikë duket se është zëvendësuar nga një logjikë tjetër.
Pyetja nuk është më: "Çfarë është e drejtë për vendin?"
Pyetja është: "Si do të ndikojë kjo në popullaritetin tim?"
Kështu politika është reduktuar në menaxhimin e perceptimit.
Diplomacia është kthyer në propagandë.
Strategjia është zëvendësuar nga improvizimi.
Institucionet janë lënë në hije nga figura e liderit.
Nuk është rastësi që në shumë vende të botës po rikthehet personalizimi i pushtetit. Në demokraci dhe në autokraci, me forma të ndryshme, po konsolidohet ideja se shteti identifikohet me një njeri të vetëm. Partitë politike humbasin identitetin dhe shndërrohen në zgjatime të liderit. Parlamenti humbet peshën. Debati zëvendësohet nga besnikëria. Ekspertiza nga propaganda. Kundërshtari politik nuk shihet më si rival, por si armik.
Në këtë klimë, kompromisi nuk konsiderohet më virtyt. Konsiderohet dobësi.
Kjo është një nga arsyet pse diplomacia ndërkombëtare po dështon gjithnjë e më shpesh. Konflikti në Lindjen e Mesme është ilustrimi më i qartë. Lufta nuk vazhdon vetëm për shkak të urrejtjeve historike apo interesave strategjike. Ajo vazhdon edhe sepse mungojnë figurat me autoritet politik dhe moral që të imponojnë një proces të besueshëm paqeje. Çdo fuqi llogarit interesin e vet afatshkurtër. Çdo lider mendon për koston e brendshme politike. Pak mendojnë për stabilitetin afatgjatë të rajonit.
Kur diplomacia humbet vizionin, lufta fiton kohë.
Por rrënjët e këtij fenomeni janë edhe më të thella.
Filozofi spanjoll José Ortega Gasset paralajmëronte se qytetërimet fillojnë të bien kur mediokriteti pushton elitat. Vilfredo Pareto argumentonte se historia është process i qarkullimit të elitave. Elitat zëvendësojnë njëra-tjetrën, por cilësia e tyre përcakton edhe fatin e qytetërimeve.
Pyetja që duhet të bëjmë sot është e thjeshtë dhe njëkohësisht e frikshme:
Çfarë elitash po prodhon bota moderne?
A po nxjerr sistemi politik njerëzit më të përgatitur, më të mençur dhe më largpamës?
Apo po shpërblen ata që dinë të krijojnë më shumë zhurmë?
Nëse vështrojmë politikën globale, përgjigjja nuk është optimiste.
II.
Problemi nuk është se njerëzimit i kanë munguar njerëzit e aftë. Universitetet më të mira të botës vazhdojnë të prodhojnë diplomatë, ekonomistë, strategë, juristë dhe studiues të shkëlqyer. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë informacion, kaq shumë ekspertizë dhe kaq shumë mundësi për të marrë vendime të bazuara në dije. Megjithatë, paradoksi është i dukshëm: sa më shumë është zgjeruar njohuria, aq më shumë duket se është ngushtuar hapësira e saj në vendimmarrjen politike. Në shumë raste, eksperti nuk është më ai që dëgjohet, por ai që konfirmon bindjet e liderit. Këshilla nuk kërkohet për të ndriçuar vendimin, por për ta justifikuar atë.
Kjo është arsyeja pse kriza nuk është vetëm krizë individësh. Është krizë sistemi. Sistemi politik bashkëkohor, i ushqyer nga logjika e spektaklit, nga cikli i pandërprerë i lajmeve dhe nga diktati i algoritmeve, nuk shpërblen domosdoshmërisht njeriun me vizion. Ai shpërblen njeriun që tërheq më shumë vëmendje. Në këtë garë, urtësia humbet përballë zhurmës, reflektimi përballë impulsit dhe argumenti përballë sloganit.
Christopher Lasch, në veprën e tij "Kultura e Narcizmit", paralajmëronte se shoqëritë moderne rrezikojnë të prodhojnë një elitë që ushqehet nga adhurimi publik dhe jo nga përgjegjësia. Edhe pse ai shkruante dekada më parë, përpara shpërthimit të internetit dhe rrjeteve sociale, diagnoza e tij tingëllon sot më aktuale se kurrë. Politika është shndërruar në një skenë ku rëndësi ka jo vetëm çfarë bën, por mbi të gjitha si dukesh. Në këtë logjikë, komunikimi bëhet më i rëndësishëm se përmbajtja, ndërsa imazhi fiton mbi substancën.
Algoritmet e platformave digjitale e kanë përshpejtuar këtë transformim. Ato nuk shpërblejnë domosdoshmërisht mendimin e ekuilibruar, por përmbajtjen që provokon emocion të fortë. Zemërimi, frika, konflikti dhe polarizimi përhapen shumë më shpejt sesa analiza e matur. Politikanët e kuptuan këtë mekanizëm përpara shumëkujt. Ata filluan të flasin gjuhën e algoritmit. Çdo deklaratë u projektua për të dominuar ciklin mediatik, çdo debat për të prodhuar përplasje, çdo kundërshtar për t'u paraqitur si kërcënim ekzistencial. Kështu, politika nisi të funksionojë sipas logjikës së rrjeteve sociale dhe jo sipas logjikës së shtetit.
Në një botë të tillë, kompromisi humbet vlerën. Diplomacia perceptohet si ngadalësi. Durimi interpretohet si dobësi. Lideri që flet me kujdes duket më pak tërheqës sesa ai që premton zgjidhje të menjëhershme për probleme jashtëzakonisht komplekse. Kjo është arsyeja pse populizmi nuk është një aksident i historisë sonë. Ai është produkt i mënyrës se si funksionon komunikimi politik në shekullin XXI.
Henry Kissinger paralajmëronte vazhdimisht se rendi ndërkombëtar nuk mbahet vetëm nga fuqia ushtarake, por nga ekuilibri dhe legjitimiteti. Kur njëra prej tyre mungon, sistemi fillon të lëkundet. Sot po mungojnë të dyja. Ekuilibri është zëvendësuar nga gara për dominim, ndërsa legjitimiteti nga interpretimet selektive të së drejtës ndërkombëtare. Secili e mbron atë kur i shërben interesit të vet dhe e anashkalon kur bëhet pengesë.
Rezultati është një botë ku çdo krizë rrezikon të prodhojë një tjetër. Lufta në Ukrainë nuk mbetet vetëm në kufijtë e saj. Ajo ndikon në sigurinë evropiane, në tregjet globale të energjisë, në çmimet e ushqimeve dhe në arkitekturën e mbrojtjes së NATO-s. Konflikti në Lindjen e Mesme nuk kufizohet mes Izraelit dhe palestinezëve apo mes Izraelit dhe Iranit. Ai prek transportin detar, ekonominë botërore, ekuilibrat rajonalë dhe marrëdhëniet mes fuqive të mëdha. Çdo vatër tensioni lidhet me tjetrën, duke krijuar një zinxhir pasigurie që nuk njeh më kufij gjeografikë.
Në këtë panoramë, edhe roli i Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar. Për dekada, Uashingtoni ishte jo vetëm fuqia më e madhe ushtarake, por edhe garantuesi kryesor i një rendi liberal ndërkombëtar. Sot Amerika mbetet një superfuqi, por është gjithnjë e më e përqendruar në polarizimin e saj të brendshëm. Çdo administratë sjell ndryshime të thella në politikën e jashtme, duke krijuar pasiguri te aleatët dhe duke i shtyrë rivalët të testojnë kufijtë e durimit amerikan. Një rend ndërkombëtar nuk mund të mbështetet vetëm mbi forcën; ai kërkon vazhdimësi strategjike. Pikërisht kjo vazhdimësi është bërë më e vështirë.
Rusia, nga ana tjetër, ka zgjedhur të sfidojë hapur rendin e krijuar pas Luftës së Ftohtë. Kina ndërton me durim ndikimin e saj ekonomik, teknologjik dhe ushtarak, duke shmangur, kur është e mundur, përplasjen e drejtpërdrejtë. Bashkimi Evropian mbetet një gjigant ekonomik, por shpesh sillet si një xhuxh politik. Vendimmarrja e ngadaltë, interesat e ndryshme të vendeve anëtare dhe mungesa e figurave me autoritet të pakontestueshëm kanë dobësuar aftësinë e tij për të vepruar si aktor gjeopolitik. Evropa vazhdon të jetë një model i rëndësishëm ekonomik dhe normativ, por rrallë arrin të imponojë ritmin e zhvillimeve ndërkombëtare.
Nëse e shohim me kujdes këtë mozaik, kuptojmë se problemi nuk është mungesa e institucioneve ndërkombëtare. Problemi është mungesa e lidershipit që t'u japë atyre drejtim. Institucionet janë si anijet. Mund të jenë të forta, moderne dhe të pajisura me gjithçka, por pa një kapiten që di ku po shkon, ato rrezikojnë të enden pa destinacion.
Edhe Ballkani është një pasqyrë e vogël e këtij realiteti global. Rajoni ynë ka prodhuar shumë politikanë, por shumë pak shtetarë. Pushteti vazhdon të ndërtohet mbi personalizimin, mbi kontrollin e partive, mbi besnikërinë ndaj liderit dhe jo ndaj institucioneve. Debati politik dominohet nga përplasjet personale, ndërsa projektet afatgjata për zhvillimin e shtetit mbeten shpesh në plan të dytë.
Në Serbi, Aleksandar Vuçiç ka ndërtuar një model ku pesha politike e presidentit tejkalon shpesh atë të vetë institucioneve. Kritikat për përqendrimin e pushtetit, presionin ndaj mediave dhe dobësimin e balancave demokratike janë bërë pjesë e vazhdueshme e raporteve ndërkombëtare.
Në Shqipëri, Edi Rama ka konsoliduar një stil qeverisjeje të identifikuar fort me figurën e kryeministrit. Mbështetësit e tij e shohin këtë si garanci stabiliteti dhe vendimmarrjeje të shpejtë; kritikët flasin për personalizim të pushtetit, dobësim të kontrollit institucional, klientelizëm dhe për një klimë ku administrata dhe politika varen gjithnjë e më shumë nga vullneti i liderit. Në të dy rastet, debati nuk është vetëm për individët. Ai është për modelin e qeverisjes që vendos figurën e liderit mbi institucionin.
E njëjta logjikë shfaqet, me intensitete të ndryshme, edhe në vende të tjera të rajonit. Bosnja mbetet peng i elitave etno-politike që mbijetojnë falë krizës së përhershme. Kosova vazhdon të përballet me sfidën për të ndërtuar institucione më të forta se polarizimi politik. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut lëkunden mes reformave dhe cikleve të pafundme të konfliktit politik. Problemi nuk është mungesa e potencialit njerëzor. Problemi është se kultura politike vazhdon të favorizojë liderin mbi shtetin.
Ky është, ndoshta, dallimi më i madh mes një politikani dhe një burri shteti. Politikani mat suksesin me kohëzgjatjen e pushtetit të tij. Burri i shtetit e mat me jetëgjatësinë e institucioneve që lë pas. Kur një lider largohet dhe sistemi shembet bashkë me të, nuk kemi pasur një shtetar. Kemi pasur një administrator të pushtetit. Dhe kjo është një nga plagët më të mëdha të kohës sonë.
III.
Dallimi mes një politikani dhe një burri shteti nuk është as karizma, as aftësia për të fituar zgjedhjet dhe as jetëgjatësia në pushtet. Historia njeh plot udhëheqës karizmatikë që kanë lënë pas rrënoja, ashtu si njeh figura të heshtura që kanë ndryshuar fatin e kombeve. Burri i shtetit nuk matet me numrin e mandateve, por me cilësinë e institucioneve që lë pas. Ai nuk kërkon të jetë i pazëvendësueshëm; përkundrazi, ndërton një shtet që funksionon edhe kur ai largohet. Ai nuk kërkon adhurim, por besim. Nuk ushqehet me duartrokitjet e çastit, por me bindjen se vendimet e sotme duhet t'u shërbejnë brezave që do të vijnë.
Kjo është arsyeja pse burrat e shtetit janë gjithmonë më të rrallë se politikanët. Politikani jeton me ritmin e mandatit. Shtetari jeton me ritmin e historisë.
Arnold Toynbee, një nga historianët më të mëdhenj të shekullit XX, arriti në një përfundim që sot tingëllon profetik: qytetërimet nuk shemben sepse sulmohen nga jashtë; ato fillojnë të bien kur elitat e tyre nuk janë më në gjendje t'u përgjigjen sfidave të kohës. Nuk janë gjithmonë armiqtë që i rrëzojnë kombet. Shpesh janë vetë elitat e tyre, kur humbasin aftësinë për të menduar përtej interesit të ditës, përtej propagandës dhe përtej pushtetit personal.
Në këtë kuptim, kriza që po jeton bota nuk është vetëm krizë gjeopolitike. Është krizë e elitave. Është krizë e mënyrës se si prodhohet lidershipi. Demokracitë po përballen me polarizim të skajshëm, autokracitë me përqendrim të pushtetit, ndërsa në të dyja rastet po dobësohen institucionet që duhej të garantonin ekuilibrin. Kur politika fillon të identifikohet me një individ, shteti humbet aftësinë për të korrigjuar gabimet e tij. Kur kritika trajtohet si tradhti dhe besnikëria shpërblehet më shumë se kompetenca, sistemi pushon së prodhuari cilësi dhe fillon të riprodhojë mediokritetin.
Ky është rreziku i madh i kohës sonë. Mediokriteti nuk është mungesë inteligjence. Është mungesë guximi për të dëgjuar mendimin ndryshe, për të pranuar kufijtë e pushtetit dhe për të ndërtuar institucione që janë më të forta se individi. Elitat mediokre nuk janë domosdoshmërisht të paafta; ato janë elita që e ngatërrojnë interesin e tyre me interesin publik dhe suksesin elektoral me suksesin historik.
Historia është e pamëshirshme me to.
Perandoritë nuk u rrëzuan vetëm nga ushtritë armike. Ato u dobësuan kur administrata u mbush me servilizëm, kur meritokracia u zëvendësua nga klientelizmi dhe kur vendimet filluan të merreshin për të mbrojtur pushtetin, jo shtetin. Roma nuk u shemb brenda një dite. As Perandoria Osmane. As Bashkimi Sovjetik. Rënia e tyre nisi shumë më herët, kur elitat humbën aftësinë për të reformuar veten.
Edhe sot shohim shenja që nuk duhen nënvlerësuar. Besimi te institucionet po bie. Polarizimi po rritet. Gjuha e dialogut po zëvendësohet nga gjuha e përjashtimit. Luftërat po normalizohen. E drejta ndërkombëtare po interpretohet sipas interesit të momentit. Inteligjenca artificiale, revolucionet teknologjike dhe transformimet ekonomike po ndryshojnë botën me një shpejtësi që kërkon më shumë urtësi, jo më pak. Megjithatë, politika shpesh përgjigjet me instrumente të së shkuarës ndaj sfidave të së ardhmes.
Nuk është rastësi që gjithnjë e më shumë qytetarë, në vende të ndryshme të botës, ndihen të papërfaqësuar. Ata nuk kanë humbur vetëm besimin te partitë. Kanë filluar të humbasin besimin se politika mund të prodhojë vizion. Dhe kur qytetarët humbasin besimin te aftësia e elitave për të drejtuar me përgjegjësi, demokracia dobësohet, pavarësisht nëse zgjedhjet vazhdojnë të zhvillohen rregullisht.
Kjo është arsyeja pse pyetja "A kanë mbetur ende burra shteti?" nuk është nostalgji për të kaluarën. Është pyetje për të ardhmen. Nuk kërkon kthimin e figurave historike. Kërkon rikthimin e një kulture politike ku dija vlerësohet më shumë se propaganda, ku institucioni respektohet më shumë se individi, ku kompromisi nuk shihet si tradhti dhe ku pushteti kuptohet si shërbim, jo si pronësi.
Sepse, në fund të fundit, historia nuk e gjykon një epokë nga lartësia e rrokaqiejve, nga shpejtësia e internetit apo nga fuqia e teknologjisë së saj. Ajo e gjykon nga cilësia e njerëzve që morën vendime në emër të saj.
Ndoshta problemi më i madh i botës sonë nuk është se ka shumë luftëra. Luftërat kanë shoqëruar njerëzimin që nga zanafilla e tij. Problemi është se ka gjithnjë e më pak njerëz me autoritetin moral, kulturën shtetformuese dhe largpamësinë për t'i parandaluar dhe përmbyllur ato. Kur pushteti bëhet qëllim në vetvete, kur propaganda zë vendin e arsyes dhe kur mediokriteti ngjitet në majën e elitave, historia hyn në një fazë të rrezikshme.
Sepse qytetërimet nuk shemben me bomba.
Ato shemben kur pushojnë së prodhuari burra shteti./Pamfleti
Sot arrognca ka zene vendin e zgjuarsise dhe kultures, fatkeqesish bota eshte kthyer ne nje spektakel te madh Ku ai qe shan e fyen admirohet me shume nga injorantet qe nuk i mendojne gjerat gjate, perçarja dhe egoizmi Kane harritur maksimumin, vlera monetare ka zene vendin e gjithshkaje perfshi dhe dashurine njerezore. Njerezimit mesa duket Po i vjen fundit.
shkrim shume i mire!!! bravo