
Kur politika anatemon gjyqtarët, krimi ndjen leje për të qëlluar. Pushteti që sulmon gjykatat po i hap rrugë anarkisë...
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë më 6 tetor 2025 është kufiri i fundit që Shqipëria nuk duhej ta kalonte kurrë. Një njeri hyri në një gjykatë me armë, qëlloi mbi një përfaqësues të shtetit dhe vrau një simbol të ligjit. Ky nuk është vetëm një akt kriminal. Është një goditje ndaj shtetit dhe ndaj besimit se drejtësia mund të ekzistojë ende në këtë vend.
Astrit Kalaja nuk u vra vetëm nga plumbat e një krimineli të irrituar për një çështje pronësie. Ai u vra edhe nga klima e dhunës politike dhe verbale që prej dy vitesh ushqehet çdo ditë kundër gjyqtarëve e prokurorëve. Çdo deklaratë publike që i damkos ata si “armiq”, “të korruptuar” apo “vegla politike” e ka zhveshur sistemin e drejtësisë nga dinjiteti dhe siguria që meriton.
Në mars 2024, ish-kryeministri Sali Berisha dhe avokatët e tij sulmuan publikisht gjyqtaren Irena Gjoka, duke shpërndarë akuza personale dhe dokumente të fabrikuara. Në gusht dhe shtator 2025, vetë kryeministri Edi Rama publikoi emra e foto gjyqtarësh, i etiketoi me fjalor përbuzës dhe i akuzoi se “tallen me ligjin”, ndërsa Unioni i Gjyqtarëve paralajmëroi se këto veprime janë shantazh politik ndaj gjyqësorit. Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi se gjyqtarët nuk mund të jenë objekt i fyerjeve nga askush, aq më pak nga pushteti ekzekutiv.
Në këtë terren të helmuar, një armë hyri në sallën e gjyqit dhe u shkrep mbi një gjyqtar. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një kulture që e ka bërë gjyqtarin fajtor para se të gjykojë. Politikanët kanë mbjellë mosbesim, fyerje dhe përçmim ndaj institucioneve që duhet t’i ruajnë, dhe sot korrin rezultatet: një sistem i frikësuar, një opinion publik i ndarë dhe një shpresë më pak për shtetin e së drejtës.
Gjykatat janë institucioni i vetëm që mund të ruajë rendin ligjor në një vend të kapur nga korrupsioni dhe propaganda. Janë i vetmi mekanizëm që mund të mbajë në këmbë këtë vend.
Kushdo që e përdor drejtësinë për hakmarrje politike, po dëmton sigurinë e qytetarëve.
Hiqni duart nga gjyqtarët. Mos i përdorni për propagandë. Mos i poshtëroni në publik. Mos i ktheni në objekt urrejtjeje, dhe më e rëndësishmja: Mos na e vrisni shpresën! /Pamfleti
Dhe pike
eshte e vertete por dhe gjyqtaret duhet te punojne per pastertine e figures se tyre.