TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Maj 2026, 13:43

Ilir Beqaj ofroi 20 mijë euro në këmbim të lirisë, GJKKO shtyn seancën

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Beqaj ofroi 20 mijë euro në këmbim të lirisë,
Ilir Beqaj ofroi 20 mijë euro në këmbim të lirisë

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 20 maj seancën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ish ministri i Shëndetësisë ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë në këmbim të një garancie prej 20 mijë eurosh.

Vendimi për shtyrjen u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pas kërkesës së prokurores Elida Kaçkini, e cila deklaroi se i nevojitet kohë për t’u përgatitur lidhur me prapësimet ndaj kërkesës së mbrojtjes. Seanca e radhës është caktuar më 20 maj, në orën 09:30.

Përmes avokatëve të tij, Beqaj ka kërkuar që masa e sigurisë të ndryshohet në “arrest shtëpie”, “detyrim paraqitje” ose në alternativë ka ofruar garanci pasurore në vlerën e 2 milionë lekëve, rreth 20 mijë euro.

Në argumentet e paraqitura në gjykatë, mbrojtja ka përdorur edhe vendimin e fundit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për masat e paraburgimit. Sipas këtij vendimi, masa “arrest me burg” duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht alternativat e tjera më të lehta të sigurisë, ndërsa prokuroria duhet të argumentojë konkretisht nevojën për kufizimin ekstrem të lirisë.

Beqaj ndodhet në paraburgim që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAK, lidhur me dyshimet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian.

Sipas SPAK, Beqaj, në kohën kur drejtonte SASPAC-un, dyshohet se ka favorizuar kryerjen e prokurimeve fiktive për projektet e EUSAIR gjatë viteve 2022-2023. Prokuroria pretendon se tenderët realizoheshin vetëm në dokumente dhe fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën.

Ndaj ish-ministrit rëndojnë disa akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim” dhe “fshehje pasurie”.

Dosja SASPAK ndodhet ende në seancë paraprake, ndërsa mbrojtja ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

ilir beqaj ofroi 20 mijë euro gjkko shtyn seancën për më 20 maj

Lini një Përgjigje