Aksi rrugor Maliq–Gramsh është përfshirë nga trafik kilometrik gjatë ditës së sotme, kryesisht nga automjete që udhëtojnë nga Korça drejt Tiranës. Ky segment u sugjerua si rrugë alternative pas shembjes së rrugës në aksin Librazhd–Pogradec, duke u kthyer në të vetmen lidhje funksionale për mjetet e vogla nga juglindja drejt kryeqytetit.
Rritja e menjëhershme e fluksit ka tejkaluar kapacitetin normal të rrugës, duke krijuar radhë të gjata dhe lëvizje të ngadaltë në disa segmente. Drejtues mjetesh raportojnë pritje të zgjatura dhe vështirësi në kalim, ndërsa në disa zona qarkullimi është bërë me ndërprerje.
Situata është komplikuar më tej pasi në këtë aks janë raportuar të bllokuara edhe tre trajlera, ndonëse thirrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar për përdorimin e rrugës alternative vlente vetëm për mjetet e vogla. Prania e mjeteve të tonazhit të rëndë në një segment që nuk është projektuar për të përballuar ngarkesa të tilla ka sjellë ngadalësim të mëtejshëm të qarkullimit dhe vështirësi në manovrim, veçanërisht në kthesat e ngushta dhe segmentet me pjerrësi.
Burime në terren bëjnë me dije se infrastruktura e aksit Maliq–Gramsh paraqet edhe dëmtime në disa pjesë, përfshirë plasaritje të asfaltit dhe zona të amortizuara, çka e rrit rrezikun në kushtet e një fluksi të shtuar. Në disa segmente, rruga është e ngushtë dhe me sinjalistikë të kufizuar, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e trafikut të rënduar.
Autoritetet rrugore dhe shërbimet e Policisë po monitorojnë situatën, ndërsa mbetet e paqartë se si do të menaxhohet qarkullimi në orët në vijim, nëse fluksi do të vijojë me të njëjtat ritme. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve kërkojnë informacion më të detajuar dhe masa konkrete për shmangien e bllokimeve të mëtejshme.
Devijimi i trafikut drejt një aksi dytësor, i cili tashmë përballet me probleme infrastrukturore, ka nxjerrë në pah vështirësitë e menaxhimit të situatave emergjente në rrjetin rrugor, ndërsa qindra qytetarë vijojnë të mbeten në pritje mes radhëve kilometrike.
Lini një Përgjigje