TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Korrik 2025, 16:51

Ka marrë miliona nga shteti shqiptar, por Becchetti do vijojë të jetë në kërkim; Gjykat e Lartë refuzon rekursin e biznesmenit italian

Shkruar nga Pamfleti

Ka marrë miliona nga shteti shqiptar, por Becchetti do vijojë të
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga mbrojtja e biznesmenit italian Francesco Becchetti, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Vendimi i ditës së sotme shënon refuzimin për çdo lehtësim të statusit penal të Becchettit, i cili vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

Mbrojtja e tij kishte kërkuar që masa të zëvendësohej me një formë më të butë, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet për mbajtjen në burg, por Gjykata e Lartë nuk e pranoi argumentin. Kujtojmë se Becchetti është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata e Tiranës me 17 vite burg për akuza të rënda financiare dhe penale. Çështja ndodhet aktualisht në Apel, ndërsa vendimi i këtij niveli gjyqësor pritet më 30 shtator 2025.

Ndërkohë që drejtësia shqiptare mban të njëjtin qëndrim, jashtë vendit situata ka marrë një tjetër drejtim. Pak kohë më parë, Eurocontrol njoftoi qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol se vendimi i Arbitrazhit, në favor të Becchettit, është ekzekutuar nga përmbaruesit në Belgjikë. Pas marrjes së vistos nga gjykata belge, fondet e bllokuara prej dhjetorit 2020, që vinin nga pagesat për përdorimin e hapësirës ajrore shqiptare, janë kaluar në llogaritë e biznesmenit italian.

Qeveria shqiptare, e vendosur përballë një fakti të kryer, tentoi të kundërpërgjigjej me një fushatë publike, duke hedhur akuza për korrupsion ndaj trupës së Arbitrazhit dhe duke promovuar një “investigim” ku Becchetti akuzohej se kishte ndikuar tek gjyqtarët. Por kjo lëvizje mediatike nuk ndryshoi realitetin: Shqipëria ka humbur një betejë financiare që i ka kushtuar 110 milionë euro.

Kjo është fatura më e rëndë që vendi ka paguar ndonjëherë në një çështje ndërkombëtare. Dhe për këtë dëm, përgjegjësit janë të qartë: në dokumentet e Arbitrazhit, deklaratat e kryeministrit Edi Rama për Becchettin u cilësuan si shkelje e hapur e të drejtave të investitorëve, me tone përndjekjeje politike.

Ndërsa Becchetti përfiton miliona në Belgjikë, në Shqipëri drejtësia e mban “në kërkim” – një kontrast që e zhvesh sistemin nga çdo koherencë. Tashmë, mbetet vetëm të shihet nëse vendimi i Apelit në shtator do të sjellë një tjetër përmbysje, apo do të mbyllë përfundimisht një kapitull që i ka kushtuar shqiptarëve më shumë se çdo krim ekonomik i pas viteve ‘90.

Lini një Përgjigje