Lëvizja e automjeteve dhe udhëtarëve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është pezulluar përkohësisht mëngjesin e sotëm për shkak të një proteste të organizuar nga doganierët grekë.
Nga ora 05:00 deri në 09:00, pala greke ka ndërprerë punën, duke mos lejuar kalimin e mjeteve dhe qytetarëve në territorin grek. Si pasojë, janë krijuar vonesa në kufi, ndërsa disa udhëtarë, të cilët kishin përfunduar procedurat në anën shqiptare dhe kishin dalë nga territori i vendit, janë detyruar të presin në zonën kufitare deri në rinisjen e punës nga pala greke.
Protesta është organizuar nga sindikata e punonjësve të doganave në Greqi, e cila kërkon rritjen e numrit të punonjësve, përmirësimin e kushteve të punës dhe të pagave, si edhe zbatimin e angazhimeve të marra nga qeveria greke për trajtimin e tyre në administratën publike.
Sipas sindikatës, mungesa e stafit dhe ngarkesa e lartë në punë po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin normal të pikave kufitare dhe të shërbimeve doganore, duke e bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e autoriteteve.
Doganierët kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë, do të vijojnë me forma të tjera proteste edhe në ditët në vijim.
Pas përfundimit të orarit të protestës, pritet që lëvizja në pikën kufitare të Kapshticës të rikthehet normalisht, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje udhëtarëve të marrin parasysh vonesat e krijuara gjatë paradites.
Lini një Përgjigje