
Kandidatit të Partisë Socialiste në Has, Beqir Mulaj i është djegur gjatë natës automjeti brenda në garazh.
Dyshimet paraprake janë që zjarrëvënia ka qenë e qëllimshme.
Ky incident vjen vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve më 14 maj. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa makina ka qenë brenda garazhit.
Sakaq, nga pamjet e bëra publike shihet se mjeti është shkrumbuar totalisht.
Ende nuk dihen arsyet se përse makinës së kandidatit socialist për Hasin i është vënë flaka, ndërsa autoritetet përkatëse po punojnë për sqarimin e ngjarjes.
Grupi hetimor po vëzhgon kamerat e sigurisë për të bërë të zbardhur dinamikën e ngjarjes, si edhe për të identifikuar autorin/ët.
Kujtojmë se Beqir Mulaj është kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Hasit. Ai u fut në garë, pasi socialistët nuk rikandiduan kryebashkiakun aktual Liman Morina.