TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Korrik 2026, 10:43

Tërmetet tragjike në Venezuelë, shkon në 5 mijë numri i viktimave

Shkruar nga Pamfleti
Tërmetet tragjike në Venezuelë, shkon në 5 mijë numri i
Tërmetet tragjike në Venezuelë

Numri i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën në muajin qershor ka arritur në 4,930. Shifrën e përditësuar e bëri publike ligjvënësi venezuelian Jorge Rodriguez, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se deri në 50 mijë persona mund të rezultojnë ende të zhdukur, pasi dyshohet se shumë prej tyre ndodhen nën rrënoja.

Pasojat e katastrofës kanë qenë të rënda. Sipas autoriteteve, rreth 17 mijë persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa mbi 21 mijë të tjerë janë zhvendosur në qendra strehimi, pasi banesat e tyre janë dëmtuar ose janë shkatërruar.

Ekipet venezueliane të kërkim-shpëtimit kanë punuar pa ndërprerje që prej goditjes së tërmeteve, megjithatë banorët e zonave të prekura shprehen kritikë ndaj reagimit të autoriteteve. Sipas tyre, ndihma e parë erdhi kryesisht nga qytetarët dhe organizatat e pavarura, ndërsa institucionet shtetërore reaguan me vonesë.

"Në momentet e para reaguan njerëzit e zakonshëm dhe vullnetarët. Përgjigjja e shtetit po shihet vetëm tani", u shpreh për Al Jazeera banorja e zhvendosur Cinthia Pulido.

Ndërkohë, ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit që mbërritën menjëherë pas fatkeqësisë kanë përfunduar misionin e tyre dhe janë larguar nga vendi. Tashmë përpjekjet janë përqendruar te ofrimi i ndihmës humanitare dhe procesi i rindërtimit.

Në zonat e prekura, shumë familje vijojnë të përballen me mungesë ushqimi, strehimi dhe mbështetjeje financiare. Një prej tyre, Louismarez Paez, tha se ndihmat që merr nuk janë të mjaftueshme për të siguruar nevojat bazë për veten dhe fëmijët e saj.

Procesi i rimëkëmbjes është ndërlikuar edhe më tej nga sanksionet ekonomike ndërkombëtare, veçanërisht ato të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Sipas ekspertëve, këto masa kanë kufizuar mundësinë e qeverisë venezueliane për të siguruar fondet e nevojshme për përballimin e pasojave të katastrofës.

Ekonomisti Mark Ueisbrot deklaroi se Venezuela disponon burime të konsiderueshme financiare, por nuk ka akses në to. Sipas tij, rreth 11 miliardë dollarë mbeten të bllokuara nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane. Ai theksoi gjithashtu se një grup prej 14 ligjvënësish demokratë amerikanë i kanë bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë të lehtësojë sanksionet, me argumentin se ato po pengojnë ndihmën emergjente dhe procesin e rindërtimit.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, kostoja e rimëkëmbjes së Venezuelës pas dy tërmeteve mund të arrijë në rreth 37 miliardë dollarë.

Lini një Përgjigje