TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Korrik 2026, 12:49

Tabaku kritika qeverisë: Zhvlerësimi i euros po dëmton ekonominë shqiptare, po humbasin bizneset dhe familjet

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku kritika qeverisë: Zhvlerësimi i euros po dëmton
Tabaku

Forcimi i lekut nuk është shoqëruar me një ekonomi më të zhvilluar apo me rritje të mirëqenies për qytetarët. Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvlerësimi i euros po sjell pasoja të drejtpërdrejta për emigrantët, eksportuesit, bujqësinë, fasonerinë dhe bizneset që sigurojnë të ardhura në valutë, ndërsa shpenzimet i kryejnë në lekë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku kundërshton idenë se niveli aktual i kursit të këmbimit është dëshmi e forcimit të ekonomisë shqiptare.

Sipas saj, një monedhë kombëtare e fortë duhet të mbështetet te rritja e prodhimit, eksporteve, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë. Ajo argumenton se asnjë nga këta faktorë nuk justifikon rënien e euros në nivelet aktuale.

“Vlera prej 93 lekësh që ka arritur euro nuk vjen as nga një prodhim më i sofistikuar, as nga rritja e ekonomisë prodhuese, as nga rritja e produktivitetit dhe as nga rritja e eksporteve”, shprehet ajo.

Deputetja demokrate thekson se ndikimi i kursit të këmbimit ndihet veçanërisht te bizneset që arkëtojnë në euro, por paguajnë paga, taksa dhe shpenzime të tjera në lekë. Sipas saj, kjo situatë ul automatikisht të ardhurat e tyre dhe dëmton konkurrueshmërinë e eksportuesve, fasonerisë dhe prodhuesve vendas në tregjet ndërkombëtare.

Tabaku ndalet edhe te efekti që zhvlerësimi i euros ka mbi familjet shqiptare që mbështeten te remitancat. Ajo thekson se e njëjta shumë parash e dërguar nga emigrantët këmbehet sot në më pak lekë, duke reduktuar fuqinë blerëse të mijëra familjeve.

“Bujqësia humbet, eksportet shqiptare humbasin, fasoneria humbet, prodhimi humbet dhe familja shqiptare humbet”, thekson Tabaku.

Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me kursin e këmbimit, por me modelin ekonomik që, sipas saj, ka krijuar këtë situatë. Deputetja argumenton se ekonomia shqiptare mbështetet pak te prodhimi dhe eksportet, ndërsa është bërë më e varur nga flukset valutore dhe kapitale që nuk burojnë domosdoshmërisht nga ekonomia reale.

Në këtë kontekst, Tabaku shprehet se forcimi i lekut nuk po përkthehet në përfitime për shumicën e qytetarëve. Sipas saj, ndërsa krijohet perceptimi i një ekonomie të qëndrueshme, në praktikë bizneset po humbasin të ardhura, prodhuesit po përballen me vështirësi dhe familjet po marrin më pak nga remitancat.

Deputetja e PD-së kërkon një strategji që, sipas saj, të mbështesë sektorët prodhues, eksportuesit, bujqësinë dhe familjet e prekura nga kursi i këmbimit, duke ia atribuar situatën modelit ekonomik të ndjekur nga qeveria.

“Ekonomia shqiptare po humbet nga zhvlerësimi i euros. Prodhimi shqiptar po humbet. Bujqësia shqiptare po humbet. Ky është rezultati i një modeli ekonomik që sot ka dështuar”, përfundon Tabaku.

Lini një Përgjigje