U mbyt në liqenin e Shkodrës pasi shpëtoi dy turistë, kapitenin Arben Anamali shpallet "Dëshmor i Atdheut".
51-vjeçari Arben Anamali, i cili humbi jetën për të shpëtuar dy turistë në Liqenin e Shkodrës është shpallur Dëshmor i Atdheut.
Lajmi është dhënë nga kryeministri Rama, i cili shprehet se kapiteni sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve. Vendimi i qeverisë vjen pas përfundimit të operacionit të kërkimit për gjetjen e trupit të kapitenit.
“U PREHSH NË PAQE DËSHMOR I ATDHEUT. Nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, Kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në Liqenin e Shkodrës I paharruar, Kapiten Arbeni”, ka shkruar Rama.
Pas thuajse 48 orësh kërkimesh, sot u gjet trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike. Kapiteni i kthyer në hero, u fut për të shpëtuar dy turistë në liqen dhe u mbyt vetë.
Turistët izraelitë ishin futur për të notuar, por për shkak të rrymave të liqenit, kanë pasur probleme dhe rrezikuan të mbyten.
Sapo i ka vënë re, Anamali është hedhur në ujë për t’i ndihmuar. Ai ka arritur t’i afrojë dy izraelitët deri tek varka dhe më pas është zhdukur në ujë. Dyshimet janë se, për shkak të lodhjes, 51-vjeçari ka pësuar komplikacione shëndetësore në ujë dhe është mbytur.
Anamali ishte babai i dy fëmijëve të mitur dhe prej vitit të kaluar ishte emëruar kapiten i anijeve turistike në pronësi të Bashkisë Shkodër. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën.
Lini një Përgjigje