Ka vijuar me tensione dhe përplasje seanca e sotme mes avokatit Gentian Rumano dhe prokurorit Behar Dibra në GJKKO për dosjen 'Plumbi i artë'.
Mësohet se shkak i përplasjes u bë fakti që gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur në dispozicion të plota disa procesverbale deklarimesh të të penduarit Erion Alibej, të vitit 2022.
Seanca u shoqërua me debate të forta që kulmuan pasi gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur në dispozicion të plota disa proces verbale deklarimesh të të penduarit Erion Alibej, të vitit 2022.
Pas këtij momenti, avokati i Henrik Hoxhajt dhe avokatët e Altin Ndocit kërkuan përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues me pretendimin se ishin të njëanshëm në gjykim.
Debati në sallë u agravua deri në fyerje nga ana e prokurorit Behar Dibra, ndërsa avokati Gentian Rumano po përsëriste kërkesën për përjashtim.
Pjesë nga debati:
Prokurori Dibra-gjykatës: A mund t’ia ndërprisni fjalën. A mund ta ndërprisni dhe ta nxirrni jashtë!
Rumano: Znj. kryetare unë e bëj këtë kërkesë, pasi në Apel, gjykata më thonë “a e bëre kërkesën në momentin e duhur”. Ky është momenti i duhur.
Prokurori: A mund ta ndërprisni, sepse nuk do të dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti. Idiotësirat e këtij idioti!
Av.Rumano: Ju sapo konsumuat një vepër penale.
Ndërhyn gjykata për të qetësuar situatën, ndërsa avokati Rumano braktisi sallën.
Për shkak se i pandehuri Henrik Hoxhaj mbeti pa avokat mbrojtës, gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu për të martën më datë 15 korrik në orën 10:00, ndërsa pezulloi edhe afatet e paraburgimit për personat e akuzuar.
Këtë të enjte pritej të niste dëshmia e bashkëpunëtorit të tretë të drejtësisë në këtë proces, Skerdi Tase, ndërsa ka dështuar njësoj si herët e tjera.
Kujtojmë se edhe seancën e kaluar pati debate mes palëve, pasi avokati Rumano u kërkua të zëvendësohej për shkak të zvarritjeve dhe i pandehuri Henrik Hoxhaj kërkoi avokat të ri mbrojtës. Kurse avokati i caktuar kryesisht tha se nuk mundej t'i bashkohej procesit për shkak të ngarkesës dhe gjyqeve të tjera. Prokurori Dibra ka deklaruar se pala mbrojtëse po tenton zvarritjet me procedura dhe kërkon vijimin e procesit.
Dumani dhe Alibej kanë rrëfyer të gjithë sagën kriminale të një dekade dhe veçanërisht atë të nisur pas "Masakrës së Bradasheshit" në Elbaan më 2018, kur u vranë vëllai i Alibejt, xhaxhai i tij dhe një mik turk i familjes. Motivet e armiqësive mes grupeve kriminale përveç hakmarrjes, kanë qenë edhe prishja e pazareve të drogës, rivaliteti në biznesin e paligjshëm dhe kontrolli i territorit.
Lini një Përgjigje