Kosova15 Nëntor 2023, 13:28

Kartelet e drogës komunikojnë përmes rrjetit Sky, Dritan Abazoviç: Të përfshirë në rrjet edhe Kosova

Shkruar nga Pamfleti
Kartelet e drogës komunikojnë përmes rrjetit Sky, Dritan
Dritan Abazoviç

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një interviste të dhënë së fundi, ka hedhur dritë mbi një rrjet të ngatërruar që përfshin politikën, narkotikët e kontrabandën e cigareve teksa foli edhe për marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën.

Ish-kreu i parë shqiptar i një ekzekutivi malazez pretendon se vendi i tij ka arritur ta fitojë luftën e vështirë kundër kontrabandës.

“Problemi më i madh këtu ishte se nuk kemi mundur të luftojmë deep state-in, nuk arritëm të ndërrojmë të gjithë administratën apo sistemin gjyqësor, por i nisëm proceset. Kështu, filluam luftën kundër kontrabandës së cigareve, biznesi më i madh që ka bërë Mali i Zi në 30 vjet e fundit e që llogaritet në 500 milionë euro në vit”, –u shpreh ai.

Duke ofruar dhe shifra konkrete, Abazoviç tha se me një aksion që ka ndërmarrë qeveria malazeze kishte arritur të sekuestronte rreth 2 mijë pako cigare kontrabandë. “Ishin në kontejner për anije, u konfiskuan të gjitha, kjo nuk ndodh askund në botë”, tha Abazoviç. Por kjo sipas tij, shkakton probleme ne rajon.

“Ka njerëz përtej kufijve që nuk janë të kënaqur me këto rezultate sepse një pjesë e cigareve ka shkuar nëpër Rozhajë, ka dalë edhe në Kosovë, një pjesë lidhet edhe me njerëz në veri të Kosovës”, – vazhdoi ish kreu i qeverisë malazeze.

Ai foli dhe për rrjetin ‘Sky’, të krijuar nga Europoli.

“Shumica e karteleve të drogës ka komunikuar aty me atë aplikacion. Në momentin që karteli në Europë u rrit aq shumë dhe kjo krijoi pasiguri për qytetarët e BE-së, Europoli e hapi këtë rrjet”, ndërsa shtoi se pjesë e rrjetit “Sky” janë edhe persona nga Kosova.

“Nuk e di me numra por ka edhe shumë njerëz nga Kosova që janë pjesë e këtij rrjeti. Ka njerëz nga Kosova që janë të lidhur edhe me kontrabandën me cigareve, por nuk mund të them se nga cila sferë janë ata” – u shpreh ai.

dritan abazoviç