TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Mars 2026, 16:07

"Larg patatinave dhe pijeve me gaz", ekspertët ngrenë alarmin: 60% e shqiptarëve janë mbipeshë

Shkruar nga Pamfleti

"Larg patatinave dhe pijeve me gaz", ekspertët ngrenë

Shqipëria po përballet gjithnjë e më shumë me problemin e mbipeshës dhe obezitetit, një fenomen që po prek si të rriturit ashtu edhe fëmijët. Sipas ekspertëve të Shëndetit Publik, rreth 60% e shqiptarëve rezultojnë mbipeshë, ndërsa 1 në 10 fëmijë është obez.

Të dhënat janë bërë publike në kuadër të Ditës Botërore të Obezitetit, ku specialistët ngritën shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të këtij fenomeni në vend. Sipas tyre, gjatë dekadës së fundit obeziteti tek fëmijët është dyfishuar.

Ekspertët theksojnë se ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë situatë janë ulja e ushqyerjes me gji nga nënat në vitet e para të jetës, si dhe kequshqyerja e mëvonshme e fëmijëve. Konsumi i lartë i ushqimeve të përpunuara, patatinave dhe pijeve me gaz konsiderohet një nga shkaqet kryesore të shtimit të peshës.

“Hiqni dorë nga patatinat, pijet me gaz dhe ushqimet e përpunuara! Fëmijë e të rritur merrni me vete ushqim nga shtëpia!", shprehen ata për "A2 CNN".

Në këtë kuadër, specialistët bëjnë thirrje për ndryshim të stilit të jetesës, duke rekomanduar shmangien e ushqimeve të pashëndetshme dhe përgatitjen e vakteve në shtëpi, si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.

Mbipesha lidhet me rrezik më të lartë për zhvillimin e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe problemeve të tjera serioze shëndetësore. Në nivel global, rreth 1.7 milionë persona humbin jetën para kohe çdo vit për shkak të komplikacioneve që lidhen me mbipeshën.

Ndërkohë, në fillim të vitit 2026, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan piramidën ushqimore, duke vendosur në fokus produktet natyrale dhe ushqyerjen e shëndetshme. Ekspertët theksojnë se një dietë e balancuar dhe aktiviteti fizik i rregullt mbeten faktorët kryesorë për parandalimin dhe uljen e mbipeshës.

Lini një Përgjigje