
Juristi Kreshnik Spahiu e sheh me pozitivitet protestat kur kanë qëllime të drejta, por edhe që vendi të mos kalojë në arrogancë pushteti.
Por ai shpjegon se protestat e opozitës kanë dhënë produkt vetëm për PD-në në afat të shkurtër ku Berisha mori vulën e partisë, por në afat të gjatë, atë elektoral, ai e sheh opozitën të humbur.
Juristi mendon se dyshja Rama-Berisha kanë interesa nga kjo lojë politike dhe protestash që bëhet, duke shfaktorizuar partitë e vogla opozitare, partitë e reja dhe duke e menaxhuar vetë pushtetin politik.
“Shqipëria i ka të nevojshme protestat, kush mendon se janë të dëmshme, e kanë gabim. Shqipëria është e brishtë, çdo pushtet ka arrogancën brenda vetes, ndaj edhe protestat janë të nevojshme. Kemi disa çështje, si protesta, vota e diasporës, faktori ndërkombëtar dhe SHBA-të, si dhe zgjedhjet në Kosovë, si zhvillime aktuale. Administrata Trump po kërkon të vendos një rend të ri botëror dhe po ndërhyn kudo ku ka zgjedhje. Ne duhet të ndajmë mendjen nëse jemi Trumpistë apo jo.
Për Gjermaninë dhe shtetet e tjera thanë mirë bëri që ndërhyri, kurse për Kosovën këta Trumpistë thanë është gabim. Do ndërhyjë edhe më 11 Maj politika amerikane në Shqipëri, por nuk e dimë se çfarë do ndodhë, askush nuk e di se çfarë ka në mendje Trump. Nuk mendoj se Trump ka në mendje gjithë kohën Shqipërinë, por mendoj se mund të jetë një ambasador, një njeri i afërt i tij apo i familjes. Unë po përpiqem që të mbaj të njëjtën linjë në lidhje me lëvizjet e Trump, sepse mund të ndodhë të jemi edhe antagonistë”, tha analisti në Report TV.
Lini një Përgjigje