Teksa protesta qytetare po vijon për të 33-ën ditë radhazi para Kryeministrisë, një nga zërat më të njohur të tubimeve, Luçiana Kokaj, e njohur si "protestuesja e Rrjollit", u bëri thirrje qytetarëve të mos tërhiqen pas përplasjeve të sotme me policinë dhe të vijojnë pjesëmarrjen në protestë.
Nga podiumi, Kokaj deklaroi se protestuesit nuk do të frikësohen nga dhuna apo përdorimi i gazit lotsjellës, ndërsa u bëri apel veçanërisht nënave të bashkohen me tubimet së bashku me fëmijët e tyre.
"Jemi aq shumë sa për t'i treguar Ramës, Ballës dhe deputetëve të inkriminuar se nuk na trembin as me dhunë, as me gaz lotsjellës. Të vijojmë çdo ditë këtu. Të gjitha nënat, merrni fëmijët dhe ejani në shesh; ju jeni tmerri i tyre, ju i kallni datën," deklaroi Kokaj.
Në vijim të fjalës së saj, ajo vlerësoi mënyrën se si, sipas saj, protestuesit kanë reaguar gjatë javëve të fundit, duke theksuar se tubimet kanë ruajtur karakterin qytetar.
"Me ne nuk u ecën dhuna, sepse kemi treguar qytetari të pashembullt. U kemi treguar se luftojmë algoritmin e tyre," u shpreh Kokaj.
Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ku tubimi po vijon me thirrje kundër qeverisë dhe organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje