TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Korrik 2026, 11:38

Mos e vrisni protestën

Shkruar nga Gjergj Zefi
Mos e vrisni protestën
Foto nga Protesta /

Protesta fitoi besimin e qytetarëve sepse lindi e lirë. Nëse bie në duart e zagarëve të politikës së vjetër, do të humbasë arsyen pse lindi...

Protesta, që tashmë ka kaluar njëmujorin e saj, pritej, madje ishte dialektikë që ta kishte, një metamorfozë të veprimit dhe zhvillimit të aktivitetit të saj.

Lëvizja e madhe qytetare, edhe pse mori shkas nga ndërhyrja brutale e rojeve private në Zvërnec ndaj qytetarëve, duket qartë se nuk ka qenë një reagim spontan.

Ajo ka qenë një nismë e organizuar.

Jo vetëm nga një faktor, por nga disa faktorë të ndryshëm, të cilët prej kohësh janë përgatitur për t’u përballur me qeverinë e Edi Ramës.

Këta faktorë, edhe pse nuk dalin publikisht në plan të parë, dallohen qartë.

Në radhë të parë janë partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Gjermania, e cila ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo nismë të shoqërisë civile që kundërshton qeverinë e Edi Ramës.

Berlini ka përdorur ndikimin e tij politik dhe institucional për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile, duke nxitur reagimin dhe organizimin e lëvizjeve kundërshtuese.

Po ashtu, ndikimi i tij është ndjerë edhe në diplomaci, në media dhe në institucione të tjera.

Megjithatë, ky faktor, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mund të ndërtojë organizimin politik të protestës.

Ai nuk mund ta shndërrojë vetë atë në një lëvizje politike që të prodhojë ndryshimin e madh në vend.

Kjo është detyrë e faktorëve shqiptarë.

Dhe ata janë të shumtë.

Me prejardhje, bindje dhe përbërje të ndryshme.

Por të gjithë bashkohen në një pikë:

Largimin e Edi Ramës.

Megjithatë, me kalimin e ditëve ndodhi një zhvillim tjetër.

Në fazën e parë të protestës u aktivizuan grupe që identifikohen me islamin politik dhe me linjën e Erdoganit, duke tentuar ta orientonin protestën drejt axhendës së tyre tradicionale kundër Izraelit.

Por kjo linjë u zbeh shumë shpejt.

Kryesisht si rezultat i ndikimit të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë që protesta të ruajë një profil demokratik, qytetar dhe qartësisht perëndimor.

Një lëvizje që, përveç largimit të Edi Ramës, synon të prodhojë edhe një opozitë të re politike.

Një model të ngjashëm me atë që u pa në Hungari, ku lindi një alternativë e re që sfidoi establishmentin tradicional.

Pikërisht për këtë arsye, sipas këtij interpretimi, ka hyrë në funksion edhe i ashtuquajturi “Plani B”.

Një plan ku, rol aktiv kanë marrë Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Ky i fundit konsiderohet si mbështetës i disa grupeve të pranishme në protestë, të cilat lidhen me qarqe të caktuara mediatike dhe financiare.

Në këtë fazë, sipas këtij këndvështrimi, Berisha dhe Meta kanë vendosur të hyjnë drejtpërdrejt në protestë.

Jo vetëm duke afruar disa persona pranë organizimit në pozicione drejtuese, por edhe duke aktivizuar kontingjentet e tyre më militantë, të mësuar me përplasjet e forta politike.

Pikërisht kjo ndërhyrje, e ka dëmtuar epërsinë morale që protesta kishte fituar gjatë javëve të para.

Sepse ajo ishte një kërcënim i barabartë si për Edi Ramën, ashtu edhe për Sali Berishën.

Hyrja e Berishës në skenë, është një mënyrë për t'u treguar partnerëve ndërkombëtarë se pa të nuk mund të ndërtohet asnjë alternativë politike.

Një lloj negociate e stilit të tij.

Por pyetja që shtrohet është:

A mund të shantazhohen partnerët ndërkombëtarë nga kjo lëvizje?

Në këtë kuadër lexohet edhe alerti i fundit i Ambasadës Amerikane për protestat, i cili sinjalizoi rrezikun e episodeve të dhunshme.

Një zhvillim që mund të pasohet edhe nga reagime të tjera politike apo diplomatike në ditët në vijim.

Sepse beteja për drejtimin e protestës sapo ka hyrë në fazën e saj më të ndërlikuar./Pamfleti

mos e vrisni protestën gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial