TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2025, 10:15

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, Dumani: Bashkëpunimi i SPAK me Eurojust është thelbësor!

Shkruar nga Pamfleti
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, Dumani: Bashkëpunimi i SPAK me
Kreu i SPAK, Altin Dumani

Dumani tha se bashkëpunimi i SPAK me Eurojust, është si një element që ka bërë dallimin për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në fjalën e tij gjatë Forumit të Kryeprokurorëve të mbajtur në Tiranë deklaroi se asnjë vend i rajonit nuk mund t’i bëjë ballë fenomeneve të krimit vetëm.

Dumani theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është një betejë që nuk njeh kufij gjeografikë, por kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar. Kreu i SPAK tha se për t’i shpërbërë këto struktura duhet vepruar me vendosmëri.

“Ne nuk na bashkon vetëm gjeografia, por edhe përkushtimi i përbashkët për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Asnjë vend i rajonit nuk mundet t’i bëjë ballë këtyre fenomeneve i vetëm. Grupet apo organizatat kriminale janë të ndërlidhura, operacionet transaksionale dhe rrjetet e tyre janë të shtrirë kudo. Një hetim që nis në një vend na çon drejt fakteve të dyshuarve, apo lëvizjes së parave në një vend tjetër. Për t’i shpërbërë këto struktura na duhet të veprojmë me vendosmëri jo vetëm brenda territoreve respektive, por edhe në mënyrë kolektive si pjesë e rajonit”, tha Dumani

Ai solli në vëmendje bashkëpunimin e SPAK me Eurojust, si një element që ka bërë dallimin për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Eurojust është një nyje strategjike që na ka ndihmuar të kapërcejmë pengesat frenuese të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për SPAK-un, bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme.

Në raportin e Eurojust, SPAK është prokuroria me numrin më të lartë të çështjeve në Eurojust nga vendet jo anëtare të BE-së. Nga muaji Janar-Maj 2025 SPAK ka marrë pjesë në dhjetë nga mbledhjet e koordinuara të Eurojust. Aktualisht SPAK ka 23 skuadra të përbashkëta hetimore me vendet e BE-së, por edhe me vende të rajonit si dhe një skuadër me një vend të Amerikës Latine”, shtoi më tej Dumani.

Kreu i SPAK vlerësoi ndër të tjera si “model” bashkëpunimin me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kemi treguar se një bashkëpunim i hapur dhe duke i besuar njëri-tjetrit bën të mundur ndërtimin e hetimeve të suksesshme”, deklaroi Kreu i SPAK.

Sipas Dumanit, janë tre elementë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal.

“Skuadrat e përbashkëta hetimore dhe operacionet ndërkufitare, hetimet financiare dhe rikuperimi i aseteve, komunikimi i sigurtë, ndarja e informacioneve inteligjente në kohë reale”, u shpreh kreu i SPAK.

kreu i spak altin dumani lufta kundër krimit dhe korrupsionit eurojust

Lini një Përgjigje