TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Nëntor 2025, 14:50

Masat e sigurisë, GJKKO vendos për Belinda Ballukun dhe dy zyrtarët e tjerë

Shkruar nga Pamfleti

Masat e sigurisë, GJKKO vendos për Belinda Ballukun dhe dy

GJKKO pas më shumë se 4 orë ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurisë për zv.Kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe dy zyrtarët, Gentian Gjyli (kreu i ARRSH) dhe Erald Elezi (Drejtor i KESH).

Në seancën e rivlerësimit të masave të sigurisë, GJKKO vendosi të lerë në fuqi të njëjtat masa që kishte marrë 3 ditë më parë.

Referuar kësaj, Belinda Balluku pezullohet nga detyra e zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, ndërsa Gjyli dhe Elezi do të vijojnë të qëndrojnë në arrest shtëpie.

Seanca e rivlerësimit u nda në dy pjesë, pas një kërkese të avokatëve mbrojtës që kërkuan të njihen me aktet e SPAK që kanë çuar në vendosjen e masave të sigurisë.

Për më shumë se dy orë, në një seancë me dyer të mbyllura, Prokurori i SPAK dhe avokatët kanë paraqitur argumentet e tyre, ndërsa në fund GJKKO vendosi të lerë në fuqi masat e propozuara nga Prokuroria Speciale.

Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, ndërsa është nën hetim për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Qeveria nga ana e saj e konsideron masën e SPAK për pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare si anti-Kushtetuese. Në këtë kuadër, Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e kërkesës së SPAK.

GJKKO thekson se zyrtarët janë pjesë e procedimit penal nr. 136/2025 të SPAK-ut, që lidhet me procedurat e tenderave për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës.

Gjykata e Posaçme vendosi dy ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

 

Lini një Përgjigje