Një prej pjesëmarrësve në protestën e zhvilluar këtë të premte në Tiranë, i cili u prezantua si ish-student i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, mbajti një fjalim me tone të forta kundër qeverisë, duke deklaruar se idealet e asaj kohe nuk u realizuan.
"Jam student i '90-s. Na larguan nga vendi strukturat e Sigurimit të asaj kohe. Ëndrra e studentëve të asaj kohe nuk u bë realitet," u shpreh ai.
Protestuesi deklaroi se ishte dekoruar me titullin simbolik "Pishtar i Demokracisë", por se kishte vendosur ta hidhte atë.
"Më kanë dekoruar 'Pishtar i Demokracisë', por unë e kam hedhur në kosh, sepse nuk pranoj të dekorohem nga këlyshët e komunizmit," tha ai.
Më tej, ai pretendoi se ishte kthyer nga Evropa për të investuar në Shqipëri, por kishte pësuar humbje të mëdha financiare.
"Jam qytetar si ju. Pavarësisht se kisha sukses në Evropë, u ktheva në Shqipëri dhe humba miliona euro në rrjetin e merimangës së sistemit neobolshevik, që u merr paratë investitorëve dhe i largon nga Shqipëria," deklaroi protestuesi.
Duke komentuar protestën e një dite më parë para Kuvendit, ai u shpreh:
"Dje isha pjesë e protestës. Dyqind trima i bënë të dridhen 1.200 policë. Ne nuk jemi kundër investimeve. Jemi populli më proamerikan në Evropë. E duam demokracinë pa këlyshë komunizmi."
Në përfundim të fjalës së tij, protestuesi u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit t'i bashkohen protestës.
"Shqipëria është në rrezik. Ejani, bashkohuni me të rinjtë që ta çojmë Shqipërinë në Evropë, atë që nuk arritëm ta bënim në vitin '90. Ose ne, ose ata! Evropa nuk i do hajdutët," përfundoi ai.
Lini një Përgjigje