Aktivisti Ilir Xhemalaj, gjatë protestës së 34-t para Kryeministrisë, deklaroi se zëri i protestuesve shqiptarë ka mbërritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur një reagim të senatorit amerikan Jon Ossoff.
Sipas tij, mbështetja e senatorit amerikan është një sinjal se kauza e protestuesve ka kaluar kufijtë e Shqipërisë.
Aktivisti Ilir Xhemalaj: "Sot zëri ynë dëgjohet lart, deri në dyert e Senatit amerikan në Washington. Sot ne nuk jemi vetëm, senatori amerikan Jon Ossoff ngriti zërin për ne, denoncoi marrëveshjet e errëta të pushtetit dhe mbështeti revolucionin tonë për Shqipërinë e re."
Ai falënderoi senatorin amerikan dhe tha se mbështetja e tij është një mesazh në mbështetje të luftës kundër korrupsionit.
Aktivisti Ilir Xhemalaj: "Falenderojmë senatorin Ossoff dhe miqtë tanë në Senatin amerikan që mbrojnë të vërtetën dhe dinjitetin e popullit shqiptar. Kjo mbështetje nga Senati i SHBA tregon qartë se lufta jonë kundër korrupsionit i ka kaluar kufijtë dhe nuk ndalet më. Nuk ka forcë më të madhe se ajo e një populli të bashkuar."
Në fund të fjalës së tij, Xhemalaj u bëri thirrje protestuesve të vijojnë mobilizimin.
Aktivisti Ilir Xhemalaj: "Historia po shkruhet në këtë shesh dhe ne jemi në anën fitimtare. Për Shqipërinë tonë, për flamurin kuq e zi, për aleaten tonë të përhershme SHBA, përpara deri në fitore. Zoti e bekoftë Shqipërinë."
Lini një Përgjigje