
Siç kanë treguar hetimet, kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut, kartele që Presidenti Trump i ka përcaktuar si organizata terroriste; janë grupe që përmbytin Shtetet e Bashkuara dhe Europën me droga të paligjshme...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes të ngarkuarës me Punë në Tiranë, Nancy VanHorn, e konsiderojnë luftën ndaj organizateve kriminale dhe trafikimit të drogës si një nga prioritetet kryesore për SHBA dhe Shqipërinë.
VanHorn u shpreh se ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër. Diplomatja theksoi se Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm; ashtu siç presim për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së.
"Lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës është ndër prioritetet më të larta për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, pasi të dyja minojnë sigurinë globale, paraqesin rreziqe për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kërcënojnë stabilitetin në mbarë botën”, tha VanHorn në konferencën rajonale të OSBE-së “Lidhja midis trafikimit të drogave të paligjshme dhe krimeve të dhunshme: Prirjet dhe kërcënimet e fundit kombëtare dhe rajonale”.
Në vijim diplomatja amerikane u shpreh se grupet kriminale ballkanike janë madje edhe pranë Amerikës, pasi janë gjithnjë e më të përfshira në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut.
“Siç kanë treguar hetimet, kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut, kartele që Presidenti Trump i ka përcaktuar si organizata terroriste; janë grupe që përmbytin Shtetet e Bashkuara dhe Europën me droga të paligjshme.
Krimi dhe drogat e paligjshme kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare dhe Presidenti Trump ka kërkuar që çdo politikë dhe dollar ndihme të çojnë përpara interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.
Diplomatja theksoi se Presidenti Trump gjithashtu ka udhëzuar qeverinë tonë të punojë drejt eliminimit të plotë të grupeve të krimit të organizuar, dhe ky është fokusi ynë.
“Për ta arritur këtë, ne do të thellojmë bashkëpunimin me qeveritë që përputhen me këtë nivel fokusi dhe angazhimi. Puna jonë do të bazohet në interesa të përbashkëta konkrete, jo në fraza boshe apo ideologji, siç ka theksuar Sekretari Rubio.
Programet tona të ligjzbatimit në Ballkan theksojnë rezultatet dhe ndarjen e barrës, duke pasqyruar politikën tonë të jashtme “Amerika e Para”. Dua të theksoj se “Amerika e Para” nuk është “Amerika e vetme”. Nëse do të mund të luftonim të vetëm krimin e organizuar dhe narkotikët, nuk do të ishim këtu sot, duke punuar për një zgjidhje rajonale”, tha VanHorn.
Lini një Përgjigje