
Është vetëdorëzuar në polici punonjësi i IMT-së së Tiranës, Klajdi Zhilla, i cili ishte në kërkim pasi mori ryshfet për të mos hequr tendën e një lokali në Kombinat.
Mësohet se ai është paraqitur në polici ditën e djeshme i shoqëruar nga avokati Andi Skënderi.
Zhilla ka pretenduar se është vënë në dijeni nga media se ishte në kërkim dhe është vetëdorëzuar për të sqaruar pozicionin e tij.
Policia e Shtetit njoftoi të enjten më 28 gusht procedimin penal të tre punonjësve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Tiranës, të cilët akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi kërkonin ryshfet gjatë ushtrimit të kontrolleve për lirimin e hapësirave publike. Aksioni për lirimin e hapësirave publike nisi në fillim të korrikut me iniciativë të kryeministrit Edi Rama.
Punonjësit i IMT-së u kallëzuan nga vetë pronari i lokalit, se i kishin ofruar një marrëveshje që të mos ia prishnin tendën, kundrejt 1 mijë eurove. Policia, me miratimin e SPAK-ut, nisi përgjimet dhe më pas simuloi dhënien e parave.
Në kohën kur 1 mijë eurot iu dorëzuan punonjësit Klajdi Zhilla, 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali tjetër aty pranë. Policia ndërhyri menjëherë në lokal dhe në ato momente inspektorët i fshehën paratë në një gotë në banakun e lokalit.
Inspektori Klajdi Zhilla arriti të largohej me një automjet tip “Audi”, ndërsa 3 të tjerët u ndaluan. Prej tyre, në arrest në burg u la vetëm Geraldo Fuçia, si personi që kishte kërkuar ryshfetin, ndërsa Zhilla u shpall në kërkim pasi ishte ai që mori paratë nga pronari i objektit.
Dy të tjerët, një inspektori dhe menaxheri i lokalit, i cili dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e parave, po hetohen në gjendje të lirë.
Lini një Përgjigje