Politologu Afrim Krasniqi ka bërë një deklaratë të fortë dhe drejtpërdrejtë mbi situatën aktuale politike dhe hetimet që po zhvillon SPAK, duke vënë në qendër të diskutimit përqendrimin absolut të pushtetit në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2CNN, Krasniqi tha se nëse organet e drejtësisë do të shkojnë deri në fund të hetimeve, fijet e të gjitha dosjeve çojnë në të njëjtin vend.
“Nëse SPAK i hyn me detaje dosjeve, të gjitha fijet të çojnë në të njëjtin vend – aty ku është i përqendruar gjithë pushteti dhe gjithë pushteti në Shqipëri është i përqendruar në zyrën e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë,” u shpreh Krasniqi, duke aluduar qartë se skemat korruptive dhe abuzimet me pushtetin nuk janë veprime të izoluara, por pjesë e një strukture vertikale të ndërtuar rreth qendrës politike.
Duke marrë shembullin e hetimeve në Bashkinë e Tiranës, ai tha se skandalet nuk janë çështje individësh, por produkt i një sistemi që e ka ngritur personin në majë të pushtetit në funksion të përfitimeve personale dhe politike. Sipas tij, kryeministri Rama është aktualisht i paprekur vetëm për shkak të funksionit dhe numrave në Kuvend.
“E kemi thënë edhe në kohë elektorale: Rama është i detyruar t’i fitojë zgjedhjet, sepse po s’i fitoi, do të jetë ditën e parë në SPAK. Koha na dha të drejtë. Sot, ai mbahet në post vetëm për shkak të pozitës së kryeministrit dhe të 83 votave në Parlament”, theksoi ai.
Krasniqi e quajti këtë situatë dështim klasik të elitës politike, e cila sipas tij, nuk ka pranuar kurrë konceptet e lirisë dhe demokracisë, as në vendimmarrje, as në familjet politike, e as në institucionet që drejton. Ai vlerësoi faktin që për herë të parë në historinë e tranzicionit, shqiptarët po shohin në lajme arrestime të zyrtarëve të konsideruar të paprekshëm, një zhvillim që ai e sheh si shpresë, jo si drejtësi të plotë.
“Kjo nuk është ende drejtësia që kërkojmë, por është një dritare që tregon se ndoshta pushteti nuk i kontrollon më të gjitha si më parë. Dhe ky është fati i madh i demokracisë – që nuk është e kontrollueshme plotësisht nga një dorë e vetme”, shtoi Krasniqi.
Lini një Përgjigje