Në vitin 2022, dhjetëra studentë të regjistruar në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, u futën në degën Arsim Fillor me ëndrrën për t’u bërë mësues. Ata përfunduan “Bachelorin” dhe u regjistruan edhe në Masterin profesional për mësuesi.
Por pas disa javësh u njoftuan papritur se nuk mund të vazhdonin studimet, sepse mesatarja e tyre e gjimnazit ishte nën 7.5, një kriter i vendosur me VKM në vitin 2020. Edhe pse në vitin e pranimit universiteti i kishte regjistruar normalisht, duke i pranuar edhe me mesatare më të ulët, tani studentëve u kërkohet të çregjistrohen nga Masteri.
Në komisionin e pranimeve, kryetarja e komisionit pranon se i ka shpallur fitues duke u bazuar në mesataren e Bachelorit, por ua vë fajin studentëve duke pretenduar, se ata e kanë ditur rregullin. Teksa studentja proteston se askush nuk i informoi, kryetarja i përgjigjet duke thënë, se “kjo është shpulla e parë që merr në jetë.”
Kryetarja e Komisionit, Master: Unë jam kryetarja e këtij komisioni dhe ju kam nxjerrë në listën e parë fitues dhe për shkak të këtij numri të veçantë, që ju keni, nuk kaloni.
Studentja: Pse e bëtë këtë listën fituese?
Kryetarja e Komisionit, Master: Saktë! Sepse jam referuar mesatares së Bachelorit. U vu një VKM në vitin 2016, që u vu një mesatare 6, pastaj u rrit, u bë një bujë e madhe, kur u rrit mesatarja 7.5, e mori vesh gjithë Shqipëria. Dhe ju mund të më thoni mua, çfarë të doni sot, por ju e keni ditur dhe e dinim të gjithë.
Studentja: Jo, nuk kemi qenë të informuar…
Kryetarja e Komisionit, Master: Ti je njoftuar, që nuk e bën dot Masterin…
Studentja: Jo nuk jam njoftuar, sepse të dija këtë gjë, nuk do aplikoja fare për Master. Të dija këtë gjë, s’do zgjidhja këtë Bachelor, të përgatitem 3 vite. 3 vite unë mund të kisha bërë diçka tjetër.
Kryetarja e Komisionit, Master: Kjo është shpulla e parë, që merr në jetë, është e vogël, e sa shpulla ka…
Në takimin me dekanen, kjo e fundit shpjegon se situata ka ardhur nga një udhëzim i ministrisë, jo i universitetit. Ajo thotë se në sistem studentëve, që në fillim u është shfaqur shenjë paralajmëruese, por pranon, se “janë mbyllur sytë”.
Dekania thotë se do t’i dërgohet një shkresë Ministrisë së Arsimit.
Studentja: Nuk vazhdojnë dot as Masterin, as e ushtrojnë dot si profesion. Kaq!
Dekani: Në sistem këtyre u ka dalë. Të del, që të nisësh degën e mësuesisë, po të del edhe një X aty, që ti Masterin, nuk e vazhdon dot. Juve ju ka dalë. Të gjithëve. Është një udhëzim i dalë nga ministria, jo nga ne. Tek udhëzimi thuhet shprehimisht “Nga viti 2020, 21 e në vijim, nëse keni mesataren e gjimnazit kaq, ju lejohet, që të bëni këtë, po nuk ju lejohet, që të bëni Masterin”. Dhe këtyre në sistem, që në ato moment, i ka dalë, po kanë mbyllur pak sytë.
Studentja: Juve i vini në dijeni, sepse tani… Po tani studentët… të hapin të lexojnë ligjin!
Dekani: Sistemi, kur ato aplikojnë, e kanë ato përpara, nuk e kemi ne si universitet.
Studentja: Po mirë, në këtë rast, ça do bëjmë? Ça mund të bëjnë këta?
Dekani: Unë do mundohem të kontaktoj me ministrinë. Të shof, të çoj ndonjë shkresë zyrtare. Unë do mundohem të bëj, çfarë unë kam në dorë për të bërë dhe pastaj t’ju kthej një përgjigje. Sot unë një përgjigje, se çfarë mund të bëjë një student, i cili mendon, që mund të bëjë diçka të caktuar, kam hall, se do ju gënjej. Nuk dua t’ju gënjej. Janë ca gjëra, që realisht unë nuk mund të hyj nëpër klasa e t’i them, a e keni parë ju sistemin. Si mendon ti?
Studentja: Si do e zgjidhim pra në këtë rast?
Dekani: Dua t’i bëj një shkresë unë. T’i drejtohem ministrisë, për të parë, se çfarë zgjidhje mund t’i japim. Unë po ju them, se çfarë mund të bëj dhe unë mendoj, që kjo është më problematikja, që të gjejmë një zgjidhje afatgjatë, jo afatshkurtër.
Ndërkohë, ekspertja e arsimit Nora Malaj thekson se është absurde, që studentët janë futur ligjërisht në Bachelor edhe me mesatare nën 7.5, por nuk lejohen të bëjnë Master e as të dalin në treg si mësues. /Klan
Lini një Përgjigje