TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Mars 2026, 15:15

Nis me debate seanca në GJKKO, Veliaj kërkon të ndërrojë avokat; Dumani refuzon

Shkruar nga Pamfleti
Nis me debate seanca në GJKKO, Veliaj kërkon të
Erion Veliaj

Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallë, por përmes një deklarate ka kërkuar ndryshim të përfaqësimit ligjor.

Mesditën e sotme ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca gjyqësore në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë në këtë çështje.

Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallë, por përmes një deklarate ka kërkuar ndryshim të përfaqësimit ligjor. Ai ka propozuar që mbrojtja e tij të kryhet nga avokati Plarent Ndreca, i cili ndodhej në seancë.

Në të njëjtën kohë, në proces ishte e pranishme edhe avokatja Valentina Todoresku, e cila ka përfaqësuar më herët kryebashkiakun.

Ndërkaq prokurori Altin Dumani ka deklaruar në sallë se: Lidhur me Erjon Veliajn duke qenë se ka marrë dijeni për seancën dhe ka sjellë edhe avokatin Plarent Ndrecën.

Dhe sa i takon avokatit Ndreca ai është pyetur për këtë procedim penal dhe jemi para faktit se nuk mund të përfaqësojë Veliajn në këtë proces.

Ndreca i përgjigjet Dumanit: E parashikoja një kërkesë nga prokuroria. Unë vlerësoj se nuk jam në kushtet kur më pengon të mbroj Veliajn. Deklarimet e mia nuk përbëjnë provë. Asnjë nga pyetjet që më janë bërë nuk kanë lidhje me këtë proces. Pyetjet kanë qenë mbi njohjet që kam me znj. Xoxa, apo me disa kompani. Ndërkohë jam pyetur në lidhje me një folder që është gjetur në kompjuterin e znj. Xoxa që unë s’kam lidhje.

Altin Dumani: Është një rrethanë që ne si organ akuze nuk mund të rrimë pa e dhënë. Për ne nuk ka asnjë kritikë, por duhet parë nëse e pengon ligji.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë. Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, njëjtë si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

erion veliaj gjkoo

Lini një Përgjigje