Gazetari kritikoi përdorimin e fondeve publike dhe kërkoi që prioritet të jenë shëndetësia, arsimi dhe shtresat në nevojë.
Gazetari Osman Stafa teksa po fliste në protestën para Kryeministrisë, ngriti akuza për mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Ai e krahasoi financimin e koncertit të reperit Kanye West me situatën në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku tha se spitali po kërkon donacione për të siguruar pajisje mjekësore.
Sipas Stafës, fondet publike po përdoren për aktivitete private, ndërsa institucionet shëndetësore përballen me mungesa të pajisjeve bazë.
"Shteti shqiptar jep 4 miliardë lekë për një koncert të një këngëtari dhe sot QSUT kërkon donacione për pajisje shëndetësore! Paratë tona i çojnë për koncertin e një këngëtari të huaj! Shëndetësia nuk duhet të ketë politikë sepse bëhet fjalë për jetën, për kurimin e njerëzve! Por të arrish në një vend ku QSUT kërkon pajisje shëndetësore dhe gjëra elementare, kërkojnë donacione nga ju sepse shteti ynë nuk ka para, sepse 4 miliardë lekë i jepen një koncerti privat.
Le të bëhen koncertet private, por jo me paratë tona! Paratë tona duhen aty ku kanë nevojë njerëzit! Te shëndetësia, te arsimi, te nënat me fëmijë jetimë, te pensionistët, te njerëzit e paralizuar! Kjo që po ndodh në Shqipëri këto ditë në protestë është histori. Do flasë historia për këto ditë proteste që ju jeni ngritur e po luftoni për të ardhmen tuaj, për dinjitetin tuaj, familjet tuaja", u shpreh Stafa gjatë fjalës së tij në protestë.
Lini një Përgjigje