Protesta e 44 kombëtare kundër qeverisë ka mbërritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë nisur fjalimet e para para godinës së Kryeministrisë.
Një nga folësit e parë ishte aktivisti Andi Tepelena, i cili tha se pas 44 ditësh protestë ka lindur një shpresë e re për të përmbushur, sipas tij, misionin e nisur në vitin 1991.
Ai u shpreh se rinia, si ajo që jeton në Shqipëri ashtu edhe diaspora, është forca që do të sjellë ndryshimin dhe do t'i japë fund sistemit aktual.
“Ka një muaj që ka lindur një shpresë e madhe. Qytetarët dhe rinia janë ngritur për ta shporrur këtë regjim, aty ku e lamë në vitin 1991. Janë këta të rinj që jetojnë këtu dhe në diasporë, që mezi presin të çlirohen nga ky sistem korruptiv, të rrëzohet kjo kastë korruptive që po mban peng zhvillimin e vendit”, deklaroi Tepelena.
Sipas tij, Shqipëria ka potencial të madh njerëzor, por ky potencial nuk po shfrytëzohet.
“Shqipëria është e mbushur me talente, me njerëz të talentuar në çdo fushë dhe janë ata që do të marrin fatet e vendit në dorë”, u shpreh aktivisti.
Në fund të fjalës së tij, Tepelena iu referua edhe reagimeve të faktorit ndërkombëtar, duke përmendur Gjermaninë.
“Sot Gjermania është në krah të shqiptarëve. Për herë të dytë ambasadori gjerman në Shqipëri ka riafirmuar rëndësinë e protestës si e drejtë demokratike”, deklaroi ai para protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë.
Lini një Përgjigje