Alarmi i sigurisë i lëshuar nga SHBA për Shqipërinë po pasqyrohet gjithnjë e më shumë në mediat ndërkombëtare, ku vendi përshkruhet si me rrezik të shtuar për shkak të kriminalitetit dhe kërcënimeve të mundshme gjeopolitike, të lidhura kryesisht me praninë e opozitës iraniane dhe tensionet me Teheranin…
Pas mediave amerikane, edhe mediat gjermane i kanë kushtur vëmendje sigurisë në Shqipëri. “Stuttgarter Zeitung” i ka kushtuar një artikull alarmit të dhënë nga ambasada e SHBA, duke bërë një analizë të rreziqeve që u kanosen të huajve në vendin tonë.
Sipas artikullit, Departamenti Amerikan i Shtetit e mban Shqipërinë në klasifikimin “Niveli 2: Tregoni Kujdes të Rritur”, një kategori që lidhet me rreziqe të lidhura kryesisht me kriminalitetin. Ky vlerësim, i përditësuar për herë të fundit më 31 dhjetor 2024, nuk ka pësuar ndryshim që prej asaj kohe.
Ndërkohë, më 1 prill 2026, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë lëshoi një “Alarm Sigurie”, duke paralajmëruar për kërcënime të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin. Sipas këtij njoftimi, objektiva të mundshëm mund të jenë entitete të lidhura me SHBA-në, elementë të opozitës iraniane në Shqipëri, por edhe vende të frekuentuara si qendrat tregtare, hotelet, restorantet dhe zonat turistike.
Megjithatë, theksohet se një “Alarm Sigurie” nuk përbën një ndryshim të nivelit të përgjithshëm të këshillimit për udhëtime, por lidhet me rrethana specifike dhe zhvillime të caktuara. Paralelisht, ky paralajmërim është në linjë me një alarm global të lëshuar nga Departamenti i Shtetit më 22 mars 2026, që u kërkon qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar në mbarë botën, veçanërisht pranë objekteve amerikane dhe izraelite.
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në këtë situatë është prania në Shqipëri e grupit opozitar iranian “Muxhahedinët e Popullit” (MEK). Që prej vitit 2013, disa mijëra anëtarë të këtij grupi janë vendosur në vend, ndërsa kampi i tyre, Ashraf 3, ndodhet pranë Durrësit. Sipas artikullit, kjo prani konsiderohet një pikë e ndjeshme në raportet me Iranin.
Tensionet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm në vitin 2022, kur Irani kreu një sulm kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore shqiptare, çka çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike nga ana e Tiranës. Që prej asaj kohe, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se kanë parandaluar disa tentativa për sulme ndaj kampit të MEK nga agjentë të dyshuar iranianë.
Media gjermane vë në dukje se, ndonëse raportime nga media të ndryshme ndërkombëtare, si Fox News apo Yahoo, kanë trajtuar këto zhvillime me tone më sensacionaliste, faktet zyrtare nuk përbëjnë një ndalim të përgjithshëm udhëtimi drejt Shqipërisë.
Sipas rekomandimeve aktuale, udhëtimi drejt Shqipërisë mbetet i mundur, por kërkon vigjilencë të shtuar, veçanërisht në zonat turistike dhe pranë objekteve të lidhura me SHBA-në apo opozitën iraniane. Udhëtarëve u këshillohet gjithashtu të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme përditësimet e sigurisë.
Në përfundim, artikulli nënvizon se, megjithëse Shqipëria nuk është në nivel alarmi maksimal, kombinimi i kriminalitetit dhe rreziqeve të mundshme gjeopolitike e vendos vendin në një kategori që kërkon kujdes të shtuar nga vizitorët. /Pamfleti
Lini një Përgjigje