Qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të lëvizjes për një “Shqipëri të re” janë mbledhur edhe këtë të shtunë para godinës së Kryeministrisë, në protestën e 18-të radhazi kundër qeverisë dhe klasës politike shqiptare.
Ajo që nisi javë më parë si një reagim kundër projektit të diskutueshëm në Zvërnec është kthyer tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila shpreh hapur pakënaqësinë ndaj mënyrës së qeverisjes, korrupsionit, emigrimit masiv dhe krizës së përfaqësimit politik në vend.
Në protestën e sotme dominuan sërish thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama dhe liderëve të politikës tradicionale. “Rama ik”, “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëri e re” ishin sloganet më të dëgjuara mes protestuesve të mbledhur përpara selisë së qeverisë.
Organizatorët e konsiderojnë lëvizjen si një reagim qytetar përtej ndasive partiake, duke argumentuar se Shqipëria ka nevojë për një model të ri politik dhe institucional, larg figurave që kanë dominuar jetën politike të vendit gjatë dekadave të fundit.
Mes qytetarëve që morën fjalën ishte edhe një pensionist, deklaratat e të cilit tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve.
“Po identifikohem për patronazhistët. Këtë protestë e nis dhe them: anuloni vjedhjet”, tha ai para protestuesve.
I moshuari u bëri thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tij që t’i bashkohen protestës.
“U bëj thirrje pensionistëve të dalin të mbështesin këtë protestë, se më keq nuk bëhet më”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, pensionisti përdori edhe një deklaratë ironike në adresë të kryeministrit.
“Unë i bëj thirrje një mikut tim që të më gjejë një veteriner, t’i hedhë ilaçin që të ikë më përpara”, tha ai, duke shkaktuar reagime mes protestuesve të pranishëm.
Protesta po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se qëllimi i tyre është ndërtimi i një lëvizjeje qytetare që kërkon ndryshim të thellë politik dhe institucional në vend.
Lini një Përgjigje