TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Tetor 2024, 09:42

Përmbytjet shkatërrojnë bizneset në Vlorë, pronari i një farmacie: 100 mijë euro dëm, uji arriti gjysmë metri

Shkruar nga Pamfleti

Përmbytjet shkatërrojnë bizneset në Vlorë, pronari i

Përmbytjet në qytetin e Vlorës kanë shkaktuar dëme të mëdha. Uji vërshoi kudo dhe shkatërroi çfarë gjeti para. Dëmi më i madh llogaritet në bizneset e zonës, por edhe në banesat që u përmbytën.

Disa prej pronarëve të dëmtuar thonë se kjo është një situatë që ndodh çdo vit dhe shteti në fund nuk merr asnjë masë për t’i mbështetur për dëmet.

Fotaq Veneti, pronari i një farmacie në Vlorë tregon se dëmi i shkaktuar në biznes mund të jetë rreth 100 mijë euro. Niveli i ujit, ai tregon se arriti brenda në farmaci rreth gjysmë metri.

Përmbytjet shkatërrojnë bizneset në Vlorë, pronari i
Dëme nga bizneset në Vlorë

“Kam farmaci. Një dëm shumë i madh, s’mund të them një vlerë fikse por diku tek 100 mijë euro produkte farmaceutike. Qepeni ka qenë i mbyllur për të penguar pjesën e përmbytjes, por duke ditur që ngelëm brenda kemi telefonuar për të dalë jashtë se situata arriti deri në 50 cm ujë brenda. Kemi qëndruar 2 orë brenda. Janë pothuajse 20-50 biznese gjithë kjo rrugë. Kjo është hera e disatë, si një katastrofë”, tha pronari i farmacisë.

Ndërkohë, pronari i një marketi thotë se ka pësuar dëm rreth 5 mln lekë të vjetra.

“Gati 5 mln lekë të vjetra dëm, shumë keq situata. Ndodh vit për vit këtu. Hall i madh. U bllokova në dyqan nuk dilja dot. Ishin prurje të mëdha”, tha Përparim Celaj për “Report Tv”.

“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milionë lek për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë”, u shpreh Fatjon Ruçi, pronar i një lokali.

Lini një Përgjigje