
Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri ka ironizuar reagimin e ish ministrit Ilir Beqja për rënien e fortë të euros në kursin e këmbimit në këto prag zgjedhjesh.
Gazetari me ironi shkruan se nuk bie euro vetëm nga supat që hanë turistët në Golem dhe Dhërmi.
Sipas tij këtë fabul nuk e beson askush, megjithëse Banka e Shqipërisë dhe qeveria po e përsërisin shpesh.
“KESH bleu 503 milionë euro vitin e kaluar dhe leku jo vetëm që nuk u zhvlerësua, por u forcua me 5.3 për qind ndaj euros. Kurse Ilir Beqja shkruante sot se përqendrimi i arsyetimeve se forcimi i lekut vjen vetëm nga zhvillimet në ekonominë informale tregon për shterpësi në analizë.
Te godasësh tregun valutor me goditje të përqendruar sa 4 për qind te GDP dhe monedha kombëtare te forcohet me 5.4 për qind është arritje e jashtëzakonshme. Por te pretendosh qe efekti i goditjes ne kursin e këmbimit u stabilizua me 20 euroshat që paguajnë turistët kur hanë supe peshku në Dhërmi apo Golem është arritje edhe me e jashtëzakonshme. Megjithatë këtë fabul e tregon dhe Banka e Shqipërisë, edhe qeveria.
Dakord që pozicioni i jashtëm i ekonomisë është përmirësuar për shkak të të ardhurave më të mëdha nga turizmi etj etj. Por kursi i lekut nuk reagon as kur ka shok kërkese për valute si vitin e kaluar. Nejse t'i bëjmë qelebar që është kështu se po të ishte e kundërta, qe te zhvlerësohej leku, do këndonim të gjithë o le le tani.
Por edhe kjo e ka një siklet të madh gjithsesi. Ka filluar te cenojë konkurrueshmërine e ekonomisë kursi i këmbimit.”, shkruan Tomorri.
Ju rikujtojmë se ish ministri Beqja e justifikoi rënien e euros me ardhjen e turistëve dhe me dërgesat e emigrantëve.
Mirëpo ndryshe mendon opozita dhe analistët ekonomikë.
Deputetja Jorida Tabaku thotë se rënia e euros lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e 14 Majit.
Tabaku deklaron se kjo nuk ndodh se ekonomia jonë po shkëlqen, as se remitancat po zhvlerësojnë euron; përkundrazi situata është gri dhe parashikohet edhe më gri.
Sipas saj, rekordi i zhvlerësimit të euros është si pasojë e pazarit politik me blerje votash dhe paranë e pistë që kontribuon sot sa tek betoni por më shumë tek fushata.