TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2026, 07:31

Rusia, Ukraina dhe Lindja e Mesme në tryezë; NATO mblidhet në Ankara për vendime kyçe

Shkruar nga Pamfleti
Rusia, Ukraina dhe Lindja e Mesme në tryezë; NATO mblidhet në
Turqia pret Samitin e NATO-s

Samiti i 36-të i Aleancës zhvillohet nga 6 deri më 8 korrik në kryeqytetin turk, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve anëtare dhe fokus në rritjen e investimeve në mbrojtje, sigurinë euroatlantike dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme…

Ankaraja ka përfunduar përgatitjet për samitin e 36-të të NATO-s, i cili do të zhvillohet nga 6 deri më 8 korrik dhe konsiderohet një nga takimet më të rëndësishme në historinë e Aleancës. Organizatorët presin pjesëmarrjen e një numri rekord krerësh shtetesh dhe qeverish, ndërsa samiti zhvillohet në një periudhë kur NATO po përballet me sfida të shumta të sigurisë dhe me debate mbi ndarjen e barrës financiare mes aleatëve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të marrë pjesë në samit, pasi më herët kishte lënë të kuptohej se mund ta shmangte takimin për shkak të pakënaqësisë së tij ndaj nivelit të shpenzimeve të mbrojtjes nga disa vende evropiane. Sipas raportimit, ai më vonë konfirmoi pjesëmarrjen, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan. Ky i fundit pritet ta shfrytëzojë samitin për të theksuar rolin e Turqisë në arkitekturën e re të sigurisë ndërkombëtare.

Programi i samitit

Samiti do të hapet me një konferencë për media të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Qendrën Ndërkombëtare të Medias pranë Kompleksit Presidencial në Ankara. Pas saj do të zhvillohen takime dypalëshe dhe sesionet e para të punës.

Ditën e dytë do të organizohet Forumi i Industrisë së Mbrojtjes së NATO-s (NSDIF), ku do të marrin pjesë përfaqësues të vendeve anëtare dhe industrisë së mbrojtjes. Mark Rutte do të inaugurojë forumin, ndërsa fjalime do të mbajnë edhe zëvendëspresidenti turk Cevdet Yılmaz dhe ministri i Mbrojtjes Yaşar Güler, shkruan Daily Sabah.

Sipas faqes zyrtare të NATO-s, gjatë forumit do të bëhet edhe një njoftim i rëndësishëm, i cilësuar si "Big Reveal". Gjithashtu pritet të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes shteteve dhe kompanive të industrisë së mbrojtjes. Mediat turke raportojnë se Mark Rutte dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për mediat gjatë forumit.

Në mbrëmje, ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen me homologët e Bahreinit, Kuvajtit, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në kuadër të Nismës së Bashkëpunimit të Stambollit (ICI), e krijuar në vitin 2004 për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë me partnerët në Lindjen e Mesme. Takimi zhvillohet në një kohë kur rajoni vazhdon të përballet me pasojat e përshkallëzimit të tensioneve mes Izraelit, Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Më pas do të zhvillohet një pritje zyrtare për ministrat e Mbrojtjes në selinë e re të ushtrisë turke "Ayyıldız", ndërsa presidenti Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan do të shtrojnë një darkë për liderët e vendeve pjesëmarrëse dhe bashkëshortet e tyre. Gjithashtu do të mblidhet edhe Këshilli NATO-Ukrainë në nivel ministrash të Jashtëm.

Programi i ditës së fundit përfshin ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes, fotografinë familjare të liderëve, seancën plenare të samitit dhe konferencën përfundimtare për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Çështjet kryesore në axhendë

Drejtori i Komunikimit i Presidencës turke, Burhanettin Duran, deklaroi se diskutimet do të përqendrohen në zbatimin e vendimit për rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e aftësive parandaluese dhe mbrojtëse të Aleancës, si dhe në një vlerësim të plotë të kërcënimeve ndaj rajonit euroatlantik.

Sipas tij, liderët do të diskutojnë gjithashtu luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në jug të NATO-s, me fokus situatën në Lindjen e Mesme. Duran njoftoi se presidenti Erdoğan pritet të zhvillojë takime dypalëshe me të gjithë liderët pjesëmarrës.

Samiti më i madh në historinë e NATO-s

Sipas organizatorëve, samiti i Ankarasë pritet të jetë më i madhi në historinë e NATO-s për nga numri i liderëve pjesëmarrës dhe përfaqësuesve të mediave ndërkombëtare.

Rreth 3.000 gazetarë, ekipe televizive, fotoreporterë dhe përfaqësues të mediave dixhitale nga e gjithë bota janë akredituar për të mbuluar aktivitetin. Për ta janë rezervuar shtatë hotele në Ankara, ndërsa transporti do të realizohet me 45 autobusë.

Qendra Ndërkombëtare e Medias është pajisur me rreth 1.800 vende pune, afro 100 pozicione për transmetime direkte, studio televizive, ambiente për intervista, dhoma montazhi, sisteme IPTV dhe infrastrukturë të avancuar teknike, duke u cilësuar si objekti më i madh i këtij lloji i ngritur ndonjëherë për një samit të NATO-s.

Drejtoria e Komunikimit e Presidencës turke do të angazhojë 850 punonjës gjatë samitit, ndërsa transmetimet ndërkombëtare do të koordinohen nga transmetuesi publik TRT me 96 kamera, 18 automjete transmetimi dhe 26 pika të ndryshme transmetimi.

Për sigurinë janë angazhuar gjithsej 56.288 efektivë, përfshirë policinë dhe xhandarmërinë, si edhe 639 specialistë të sigurisë kibernetike që do të monitorojnë vazhdimisht kërcënimet në hapësirën digjitale. Delegacionet do të përdorin tre aeroporte të ndryshme: Esenboğa, Aeroportin e Ankarasë dhe bazën ajrore Mürted për avionët e transportit.

Vlerësimet e aleatëve

Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, e cilësoi Turqinë një aleat të rëndësishëm të NATO-s falë kapaciteteve të saj ushtarake dhe pozicionit strategjik. Në një intervistë për Anadolu Agency, ajo tha se samiti duhet të sjellë hapa konkretë drejt objektivit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ruginiene theksoi se Rusia mbetet kërcënimi kryesor afatgjatë për sigurinë euroatlantike dhe se mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë. Ajo shtoi se forcimi i industrisë së mbrojtjes dhe rritja e kapaciteteve prodhuese janë thelbësore për një NATO më të fortë. Sipas saj, një Evropë më e aftë ushtarakisht do të përforcojë edhe lidhjen transatlantike.

Edhe shefi i Mbrojtjes i Holandës, Onno Eichelsheim, deklaroi se roli i Turqisë brenda NATO-s do të rritet në vitet e ardhshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara reduktojnë disa prej kapaciteteve të tyre ushtarake në Aleancë.

Ai vlerësoi industrinë turke të mbrojtjes dhe tha se ekziston potencial i madh për bashkëpunim. Sipas tij, Turqia, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe pozicionin e saj strategjik në krahun juglindor të Aleancës, do të jetë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes kolektive në të ardhmen.

Gjatë samitit do të organizohet edhe platforma "Allies in Ankara", një iniciativë e fondacionit turk SETA në bashkëpunim me Konferencën e Sigurisë së Mynihut.

Në këtë forum do të marrin pjesë ministra, zyrtarë të lartë dhe ekspertë të sigurisë nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Diskutimet do të përqendrohen te e ardhmja e Aleancës, industria e mbrojtjes, ndarja e barrës mes aleatëve dhe sfidat e reja strategjike në rendin ndërkombëtar. /Përshtati Pamfleti/

 

samiti nato agjenda

Lini një Përgjigje