TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Korrik 2026, 21:34

“Viti 2025 ndër më problematikët e dekadës së fundit”, raporti i AKM: 33 mijë ha u shkrumbuan nga zjarri

Shkruar nga Pamfleti

“Viti 2025 ndër më problematikët e dekadës së

Raporti i AKM për vitin 2025 bën me dije se në total u dogjën rreth 16 mijë ha sipërfaqe në fondin pyjor dhe kullosor, nga një total prej 34 mijë hektarësh të përshkuara nga flakët.

​Viti 2025 rezultoi si ndër më problematikët e dekadës së fundit, duke u renditur i dyti pas vitit 2017 dhe duke shënuar pothuajse një dyfishim të sipërfaqeve të djegura në krahasim me periudhën 2021–2024.​

Vlera e dëmit llogaritet në përmasa katastrofike për ekonominë dhe mjedisin. Vlera totale e dëmit në të gjithë Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar arriti në 7,186,335,000 lekë.​

Gjatë këtij sezoni u shkatërruan 128,597.8 m³ material drusor, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël prej 25,634 m³ ka mbetur e përdorshme për shfrytëzim. Zjarret patën një shtrirje të gjerë gjeografike në plot 47 bashki, por rajonet në jug të vendit regjistruan dëmet më të mëdha.

Sipas të dhënave të raportuara, bashkitë me sipërfaqet më të mëdha të djegura në hektarë janë:

​Delvinë: 5,845 ha
​Finiq: 1,828 ha
​Tepelenë: 1,512 ha
​Konispol: 1,400 ha
​Himarë: 1,081 ha
​Gramsh: 982 ha
​Berat: 690 ha

​Qarku i Vlorës dhe ai i Gjirokastrës kryesojnë në rang kombëtar me diferencë të ndjeshme nga qarqet e tjera.
​Shkaqet kryesore të kësaj situate të rëndë ishin kombinimi i aktivitetit njerëzor me kushtet klimatike ekstreme. Temperaturat shumë të larta, thatësira e zgjatur dhe erërat e forta krijuan terrenin ideal për përhapjen e shpejtë të flakëve, veçanërisht në zonat e pyllëzuara me pishë, ku prania e halave dhe rrëshirës e përkeqësoi situatën.​

Aktiviteti njerëzor mbetet faktori determinues përmes:
​Djegies së mbetjeve bujqësore pa marrë masat e nevojshme të sigurisë.
​Zjarreve të ndezura për hapjen e kullotave të reja që dolën jashtë kontrollit.
​Hedhjes së cigareve të ndezura në natyrë dhe mungesës së përgjithshme të ndërgjegjësimit qytetar.​

Shkaqeve aksidentale teknike, si defektet në linjat elektrike që kalojnë mes pyjeve apo shkëndijat nga mjetet motorike në terrene të thata.​

Zjarrvënieve të qëllimshme, të lidhura shpesh me konflikte pronësie, pastrim të paligjshëm të tokës apo spekulime për zhvillim urban.​

Pavarësisht evidentimit të këtyre faktorëve, institucionet raportojnë se pjesa dërrmuese, përkatësisht 150 raste zjarresh, vazhdojnë të mbeten me shkaqe të panjohura, ndërkohë që 20 raste janë klasifikuar si njerëzore të paqëllimshme dhe vetëm 3 si të qëllimshme./Tch

akm zjarre

Lini një Përgjigje