
Kreu i SPAK, Altin Dumani, prej orës 16:30 po raporton në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve, kryesisht të opozitës, lidhur me çështjet që po hetohen nga Prokuroria Speciale.
Një prej pyetjeve që deputeti Flamur Noka i drejtoi kreut të SPAK, Altin Dumani, ishte ajo nëse ka nisur hetim për rrjetin e patronazhistëve të Partisë Socialiste.
“Sa i takon patronazhistëve, në momentin që patronazhisti evidentohet në rolin që ju përshkruani, që përfshin legalizim, shpërndarje parash apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu bëjmë fjalë për patronazhizëm, i cili përbën korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Ne nuk kemi ndonjë nen në Kodin Penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë”, tha Dumani.
Për krimet zgjedhore, kreu i SPAK tha se është verifkuar çdo pretendim dhe kallëzim.
“Unë e kam përmendur edhe herë të tjera: SPAK ka verifikuar çdo pretendim të kallëzuesve. Në çdo rast, dhe ky ka qenë edhe objektivi i Task-Forcës së ngritur, verifikimet të bëheshin në kohë rekord, dhe ne kemi vendosur në 43 raste mosfillim procedimi penal. Nga 43 rastet janë ankimuar në gjykatë vetëm 3. Kryesisht këto kallëzime penale kanë pasur për objektiv punësimin e paligjshëm, asfaltin elektoral dhe përdorimin e administratës publike”, tha Dumani.
Lini një Përgjigje