
Në mesditën e sotme, punonjës të kompanisë Bankers Petroleum zhvilluan një protestë përpara ambienteve të kompanisë në Marinzë, duke shprehur pakënaqësitë përmes një tubimi të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur.
Tubimi, i cili u zhvillua gjatë pushimit të punës, kishte në qendër të tij kërkesat për përmirësim të kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. Ndër kërkesat kryesore të ngritura ishte zbatimi i statusit të naftëtarit dhe sigurimi i dietës ushqimore për punonjësit.
Kreu i Sindikatës, Dritan Shahu, u shpreh se punëtorët nuk mund të neglizhohen më dhe i bëri thirrje administratës së kompanisë dhe drejtuesit të saj, Hong Ping, të dëgjojnë zërin e atyre që për vite me radhë kanë mbajtur mbi supe barrën e prodhimit.
“Nuk jemi këtu për mëshirë, por për të kërkuar atë që na takon me të drejtë”, tha ndër të tjera Dritan Rrapushi, sekretari i Sindikatës për degën Fier, duke akuzuar kompaninë për vite të tëra shpërfilljeje ndaj punëtorëve.
Punonjësit pjesëmarrës, disa prej të cilëve me një përvojë të gjatë në këtë sektor, e cilësuan trajtimin e deritanishëm si të padrejtë dhe fyes për kontributin që kanë dhënë.
Protestuesit paralajmëruan se kjo ishte vetëm një lëvizje e parë simbolike, ndërsa theksuan se në mungesë të një reagimi nga ana e kompanisë, do të vijojnë me veprime të tjera sindikale.
Lini një Përgjigje