Nën emrin e “vendeve të lira të punës”, qeveria po kërkon njerëz të bindur që të punojnë pa kontratë, me paga poshtë minimumit jetik, pa siguri dhe pa dinjitet, ndërsa të afërmit e pushtetit rrinë në zyrat shtetërore me rroga 5-fish më të larta...
Në momentin kur Shqipëria po përjeton një eksod të heshtur për shkak të varfërisë, mungesës së perspektivës dhe trajtimit mjeran të punonjësve, Babloku rikthehet me propagandën bajate të punësimit, këtë herë nëpërmjet ministrit të tij të “shërbimeve publike”, Blendi Gonxhe.
Këta të dy, pa asnjë ndjeshmëri ndaj realitetit të zymtë që kanë krijuar vetë, tentojnë t’ia shesin opinionit një listë me 6000 vende të lira pune në sektorin privat, shoqëruar me propagandë euforike mbi rritjen ekonomike, por pa asnjë të vërtetë thelbësore brenda.
Gonxhe ka publikuar disa kërkesa nga biznese të ndryshme, por nga një vështrim I thjeshtë kuptohet qartë se këto nuk janë vende pune, por thjesht vende shfrytëzimi. Kërkohet të punësohen skllevër modernë, me apo pa shkollë, me apo pa profesion, për të punuar me paga të ulëta, pa kontratë, pa të drejta, pa siguri, pa pushime, pa dinjitet.
Në një treg pune të deformuar nga shteti vetë, ku oligarkët kanë në dorë jo vetëm lejet, tenderët dhe koncesionet, por edhe fatin e çdo punonjësi të thjeshtë, ku të drejtat minimale ligjore nuk zbatohen as nga kompanitë e mëdha, e aq më pak nga të mesmet e të voglat, fjalët për “punësim” janë vetëm një maskë për një sistem skllavopronar të kodifikuar me dekret të pushtetit.
Ministri që e quan veten “arkitekt i digjitalizimit”, flet për vende pune ndërkohë që në çdo skaj të Shqipërisë, punëtorët largohen. Ata nuk duan më të jenë mish për top në ndërtim, turizëm apo në kuzhinat e resortëve që i menaxhojnë politikanët dhe trafikantët bashkë. Ata janë të lodhur nga orët e zgjatura, nga ditët e pushimit të vjedhura, nga pagat që s’mjaftojnë as për bukë e qira, nga “sigurimet” që paguhen në një të tretën e vlerës reale, nga pronarë që i ulërasin, i kërcënojnë dhe i hedhin në rrugë sa herë nuk i shërbejnë më.
Ky është realiteti shqiptar që Gonxhe përpiqet të lyej me ngjyrat e rreme të PR-it qeveritar. Edhe në firmat e ministrave, deputetëve, oligarkëve me emër e pa emër, trajtimi i punonjësve është skandaloz. Edhe pronarët që marrin kontrata me 1 euro, që fitojnë tenderë pa garë, që janë të lidhur me çdo hallkë të këtij shteti të kalbur, nuk kanë as mëshirë, as etikë. Janë ata që u japin -300- 400 mijë lekë të vjetra në muaj punëtorëve për t’i mbajtur 10-12 orë në punë, për t’u thënë të heshtin e të mos guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre.
Sot, forca aktive e punës në Shqipëri nuk po largohet sepse nuk ka punë. Po largohet sepse nuk ka dinjitet. Sepse nuk ka trajtim njerëzor. Sepse nuk ka kontratë. Sepse nuk ka jetë. Edhe punëtorët e ardhur nga Azia dhe Afrika, që janë përherë më të varfër se ne, po ikin. Sepse këtu nuk të respektojnë.
Ndërkohë, qeveria shton çdo vit 5000 patronazhistë të rinj në administratë. Rrogat dhe postet i ndan për miqtë, gratë, dashnoret dhe kushërinjtë. Dhe për popullin, “punë” me 370 mijë lekë. Është kjo arsyeja pse lajmet e Gonxhes nuk janë lajme. Sepse në këtë vend, njerëzit nuk duan më punë. Ata duan dinjitet, dinjitet që ju ia kanë vjedhur bashkë me të drejtën për të jetuar si qenie njerëzore në atdheun e tyre. Dhe për këtë arsye, largohen. Ndërsa Rama me Gonxhen kërkojnë skllevër të rinj për të mbushur boshllëqet e të pangopurve./ Pamfleti
Lini një Përgjigje