
Mijëra shqiptarë të ardhur nga diaspora iu bashkuan protestës së mbrëmjes në kryeqytet, duke e kthyer tubimin në një nga demonstratat më të mëdha që nga nisja e lëvizjes pas ngjarjeve në Zvërnec. Mes flamujve kuqezi dhe thirrjeve kundër qeverisë, protestuesit nuk kursyen as klasën politike.
Një det njerëzish ka pushtuar Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku po zhvillohet protesta e 21-të kundër qeverisë. Mijëra qytetarë, mes tyre edhe qindra shqiptarë të ardhur nga diaspora, kanë mbushur bulevardin dhe sheshin para Kryeministrisë, duke krijuar një nga pamjet më të mëdha të mobilizimit qytetar të javëve të fundit.
Flamuj kuqezi, pankarta, simbole kombëtare dhe thirrje që ushtonin përgjatë bulevardit kanë dominuar atmosferën e protestës. Për herë të parë që nga nisja e protestave, pjesëmarrja e diasporës ka qenë masive, me shqiptarë të ardhur nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe vende të tjera europiane.
Pamjet nga terreni tregojnë një bulevard të mbushur me protestues, ndërsa turma ka marshuar drejt Kryeministrisë mes thirrjeve "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Rama në burg", por edhe "Berisha në burg", duke treguar se zemërimi nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë klasës politike.

Protesta, e cila nisi tre javë më parë pas zhvillimeve në Zvërnec, duket se ka hyrë tashmë në një fazë tjetër. Nga një reagim kundër një projekti specifik, ajo është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe kastës politike që ka dominuar jetën publike shqiptare prej dekadash.
"Kemi ardhur t'u tregojmë shqiptarëve se nuk janë vetëm. Ne kemi ikur, por nuk kemi humbur", tha një emigrant i ardhur nga Londra.
Ndërsa një tjetër protestues nga diaspora u shpreh se ardhja në Tiranë ishte një detyrim ndaj vendit.
"Nuk duam që shqiptarët të përfundojnë emigrantë si ne. Ka ardhur koha jonë", tha ai.

Pjesëmarrja masive e kësaj mbrëmjeje përbën pa dyshim një zhvillim të rëndësishëm politik dhe një sinjal të fortë për qeverinë. Pas 21 ditësh protestë të pandërprerë, mobilizimi i diasporës dhe mbushja e bulevardit me mijëra protestues e kthen tubimin e sotëm në një nga sfidat më serioze me të cilat është përballur deri tani mazhoranca.
Mes flamujve kuqezi dhe thirrjeve që jehonin në të gjithë qendrën e Tiranës, mesazhi i protestuesve ishte i qartë: pakënaqësia nuk kufizohet më vetëm te një çështje apo një projekt, por është shtrirë ndaj gjithë mënyrës se si është qeverisur vendi.
Lini një Përgjigje