Aktualitet 1 Shtator 2023, 11:44

Shtyhet seanca për Dritan Goxhajn, avokati kërkon përjashtimin e gjyqtares

Shkruar nga Pamfleti

Shtyhet seanca për Dritan Goxhajn, avokati kërkon përjashtimin e

Seanca gjyqësore për ish anëtarin e UÇK, Dritan Goxhaj është shtyrë sërish pasi avokati mbrojtës ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes.

Sipas avokatit të tij Bashkim Nikolla, Goxhaj nuk duhet që të ekstradohet, pasi akuza për nxjerrje të sekretit hetimor nuk qëndron. Avokati u shpreh se Goxhaj është gazetar dhe këto janë bërë në sajë të punës së tij investigative.

“Ai e ushtron profesionin e gazetarit dhe nga unioni i gazetarëve në Shqipëri përshkruhet dhe thuhet se është një gazetar investigativ që ka bërë dhe shkruar rreth problemeve politike dhe luftës. Goxhaj njihet si gazetar investigativ në Kosovë dhe në Maqedoni. Një pjesë e madhe e shkrimeve të tij janë si provë në gjykatë që tregon me fakte se është i tillë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik në Tiranë dhe akuzohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999.

Gjithashtu, kujtojmë se ditën e djeshme mbështetësit e ish-luftëtarit të UÇK-së zhvilluan një protestë para Presidencës në Tiranë, të cilët kërkuan mos ekstradimin e tij drejt Hagës.

dritan goxhaj avokati gjyqtare perjashtim