Aktualitet25 Qershor 2024, 15:37

Skandali te Onkologjiku, Arlind Qori: Zhvasin pacientët, problemi është i gjithë sistemi

Shkruar nga Pamfleti

Skandali te Onkologjiku, Arlind Qori: Zhvasin pacientët, problemi

Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori ka komentuar skandalin te Onkologjiku në QSUT.

Ai tha se korrupsioni në mjekësi është i prekshëm, teksa shtoi se anti-korrupsioni është prioritet i Lëvizjes Bashkë.

Qori shtoi se kemi një shtet të kalbur, ku diku vidhet me tenderë, diku me koncensione, ndërsa në mjekësi krahas parave, vidhet edhe jeta e njerëzve. Ai u shpreh se problemi nuk janë vetëm disa mjekë, por bëhet fjalë për një sistem të gjithë, që zhvasin pacientët.

“Zyrtarët e poshtëm nuk vjedhin kurrë vetëm për veten. Sistemi e ka fajin, pasi ky sistem i korruptuar është ngritur nga njerëzit e korruptuar, dhe ky sistem i mundëson që të blejnë drejtësinë, ndonjëherë mediat, e kështu me radhë. Këta nuk na vjedhin vetëm paratë, nuk na vjedhin jetën, por edhe mundësinë për të reaguar”, tha Qori për “News 24”.

Ai e konsideroi majën e ajsbergut skandalin e zbuluar te Onkologjike, teksa u shpreh se nëse gjenden lidhjet organike të shëndosha mes shoqërisë dhe institucioneve, ne mund të kapërcejmë këtë situatë ku renditemi si vendi i fundit në Europë.

“Jemi më keq se fqinjët tanë, pse duhet të jemi ne të fundit? Çfarë na mungon? Asgjë nuk na mundon. Por institucionet na kanë marrë frymën”, tha ai.