
Avokatët e Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit kanë ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, që i la në burg me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim.
Beleri kërkon pushimin e çështjes, me pretendimin se nuk ka asnjë provë që ta përfshijë në veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndërkohë, Kokaveshi i kërkon Apelit të Posaçëm masë më të butë se "arresti me burg", me pretendimin se situata e tij shëndetësore i rrezikon jetën në izolim. Pritet që Gjykata e Apelit të hedh shortin që të përcaktojë emrin e gjyqtarit që do të shqyrtojë çështjen. Aktualisht Beleri ndodhet në burgun 313 të Tiranës, ndërsa Kokaveshi në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Arrestimi i Belerit u bë nga prokuroria e Vlorës, por dosja u transferua tek SPAK, duke qenë se Prokuroria e Posaçme i ka kompetencë krimet zgjedhore. Beleri doli tre ditë më parë para Gjykatës së Posaçme për një masë të re sigurie dhe gjykata nuk është tundur, por e ka lënë atë në burg.
Më 8 maj 2023, 6 ditë para zgjedhjeve, policia e Vlorës dërgoi në prokurori dosjen me informacione se disa shtetas në Himarë përfshirë Fredi Belerin dhe 6 të tjerë merreshin me shitblerje votash. Shumat që ofroheshin për votën e qytetarëve sipas policisë, ishin nga 50 në 200 euro, bashkë me premtimin për tu përfshirë në skemat e përfitimit të shtetësisë greke dhe pensionit në shtetin grek.
Në dosje thuhet se në Prokurorinë e Vlorës është paraqitur banori i Himarës me iniciale A.R, i cili ka pohuar se nga Fredi Beleri, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” si dhe persona të tjerë të shtabit elektoral, i ishin ofruar shuma monetare për blerjen e votave. Shtetasi A.R ka deklaruar se ishte i gatshëm të kryente veprime simuluese dhe atë ditë ka lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorinë. Atë ditë ai, është takuar në zonën e Potamit në Himarë me Fredi Belerin, ku kanë rënë dakord që A.R të mblidhte emrat e personave që do të votonin pro dhe listën t`ia dorëzonte kandidatit të siglës “Bashkë Fitojmë”.