Lexues të Pamfleti, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Shkatërrimi i rrugës Librazhd-Pogradec
Përkeqësohet situata te 'Arrat e Gurës'
Rruga kombëtare Librazhd–Pogradec mbetet e pakalueshme, ndërsa situata është rënduar në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku vijojnë rrëshqitjet e tokës. Lëvizja në këtë aks është ndërprerë, duke krijuar vështirësi të shumta për banorët dhe bizneset e zonës.
Sipas informacioneve zyrtare, pritet një relacion nga Shërbimi Gjeologjik për të përcaktuar shkaqet dhe për të hapur rrugën për ndërhyrje konkrete. Një nga opsionet që po shqyrtohet është ndërtimi i një rruge provizore paralel me linjën hekurudhore, ndërsa në ditët në vijim pritet të mblidhet edhe Këshilli Teknik për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.
Segmenti i dëmtuar paraqet probleme serioze strukturore. Ura në zonë raportohet se ka pësuar degradim të plotë, ndërsa shtresa e asfaltit është çarë dhe konsiderohet e pariparueshme. Ndërkohë, është pezulluar edhe puna për hapjen e një by-pass-i provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese, pasi, sipas burimeve, ndërhyrja paraqiste rrezik për jetën e punëtorëve për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në emër të Qeverisë, e ka cilësuar rrëshqitjen si fenomen natyror të shkaktuar nga reshjet e shiut. Megjithatë, Prokuroria ka ngritur dyshime mbi rrethanat e ngjarjes dhe ka nisur hetime që prej së dielës.
Hetimet po zhvillohen për disa vepra penale, përfshirë “Shpërdorim të detyrës”, “Shkelje të barazisë në tenderë apo ankande publike”, “Shkatërrim të rrugës” dhe “Ndotje të ajrit, ujit apo tokës”. Organet e drejtësisë po verifikojnë nëse punimet për Korridorin VIII kanë ndikuar në destabilizimin e segmentit ekzistues.
Lotin e shtatë të autostradës e ka fituar kompania “ANK”, kantieri i së cilës ndodhet rreth 2 kilometra nga vendi ku u shemb rruga. E njëjta kompani, në pronësi të Agim Kolës, është parë në terren ditët e fundit, e kontraktuar nga ARRSH për hapjen e by-pass-it provizor.
Dosja “Gërdeci”
Ish-ministri Fatmir Mediu kërkon përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi në themel i dosjes “Gërdeci”, ku ai është i pandehur.
Kërkesa është depozituar përmes ekipit të tij mbrojtës, i cili i referohet një vendimmarrjeje të Gjykatës së Lartë të muajit korrik 2025. Sipas avokatit të Mediut, ky vendim sanksionon se një gjyqtar që ka marrë pjesë në fazën paraprake të procedimit penal nuk mund të jetë pjesë e trupit gjykues në shqyrtimin e themelit të çështjes, përveç rasteve kur çështja zhvillohet me gjykim të shkurtuar.
Mbrojtja argumenton se në rastin konkret procesi ndaj ish-ministrit po zhvillohet me procedurë të zakonshme, çka, sipas saj, krijon papajtueshmëri ligjore për vijimin e gjykimit nga e njëjta gjyqtare.
Kërkesa për përjashtim pritet të shqyrtohet nga trupa kompetente gjyqësore, e cila do të vendosë nëse pretendimet e paraqitura nga pala mbrojtëse janë të bazuara dhe nëse do të ketë ndryshim në përbërjen e trupit gjykues.
Ndryshimi i masës së sigurisë
Apeli i Posaçëm shqyrton kërkesën e Veliajt për lirim nga qelia
Apeli i Posaçëm pritet të shqyrtojë sot kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Çështja është caktuar për shqyrtim nga gjyqtarja Nertina Kosova.
Veliaj ka ankimuar vendimin e datës 1 shkurt të dhënë nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila vendosi vijimin e masës së arrestit me burg ndaj tij. Në kërkesën drejtuar Apelit, Veliaj ka kërkuar zëvendësimin e kësaj mase me një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore ose çdo alternativë tjetër të parashikuar nga ligji.
Apeli i Posaçëm do të vlerësojë nëse ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë dhe për lirimin e tij nga qelia. Kërkesa vjen pas vendimit për kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se në këtë fazë procedurale nuk ekziston rreziku i prishjes së provave.
Në seancat e mëparshme, Veliaj ka pretenduar se i është cenuar e drejta për mbrojtje efektive, duke deklaruar se nuk është njohur ende me dosjen hetimore. Ai ka kundërshtuar gjithashtu përfaqësimin nga avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata, duke refuzuar çdo veprim procedural të ndërmarrë prej saj.
Sipas tij, avokatja nuk ka njohje reale mbi dosjen penale dhe përfaqësimi i saj bie ndesh me interesat dhe strategjinë e mbrojtjes që ai synon të ndjekë, duke mos përfaqësuar vullnetin e tij.
Bordi i Paqes publikon faqen zyrtare
Shqipëria e Kosova mes 28 vendeve themeluese
Bordi i Paqes ka vënë në funksion faqen e tij zyrtare në internet, duke formalizuar strukturën dhe përbërjen e mekanizmit të ri ndërkombëtar. Platforma online paraqet 28 shtetet që marrin pjesë si themeluese, mes tyre Kosova dhe Shqipëria.
Deklarata Themeluese, e publikuar në faqe, përcakton parimet mbi të cilat mbështetet nisma. Dokumenti argumenton se paqja e qëndrueshme kërkon gjykim pragmatik, zgjidhje të mbështetura në logjikë të qartë dhe gatishmëri për t’u larguar nga modele dhe institucione që nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.
Teksti thekson se ndërtimi i paqes lidhet me fuqizimin e qytetarëve për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e tyre. Ai vendos theksin edhe te partneritetet e qëndrueshme, të orientuara drejt rezultateve dhe të mbështetura në ndarjen e barrës dhe përgjegjësive.
Për më shumë klikoni tek lajmet e orës 12.00
Lini një Përgjigje