TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Korrik 2026, 14:20

"Vajza ishte e lënduar, nuk ecte dot", flet polici që liroi Rozalinda Plakën: Nertil Buzi më kërkoi të afrohesha i paarmatosur

Shkruar nga Pamfleti
"Vajza ishte e lënduar, nuk ecte dot", flet polici që liroi
Nertil Buzi

Shefi i Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Koroveshaj, ka zbuluar detaje nga negociatat disa orëshe me 35-vjeçarin Refit Buzi, i cili rrëmbeu ish-të fejuarën e tij Rozalinda Plaka, pak pasi vrau prindërit e saj në fshatin Vidhishtë.

Koroveshaj tregon se sapo u njoftua për ngjarjen, u vu në ndjekje të autorit dhe për orë të tëra mbajti komunikim me të, me qëllimin e vetëm shpëtimin e jetës së 24-vjeçares.

"Kemi qenë në komunikime të vazhdueshme për disa orë me autorin, deri në momentin që ai u bind dhe kërkoi që unë personalisht të afrohesha në vendin ku ndodhej së bashku me pengun. Ishte zgjedhja e tij pas rreth dy orësh negociata”, rrëfen ai.

Sipas shefit të Policisë, 35-vjeçari vendosi një kusht të qartë: ai të afrohej i vetëm dhe pa armë.

"Autori më kërkoi të afrohesha i paarmatosur dhe i vetëm. E zbatova kërkesën e tij sepse në ato momente duhej të bënim gjithçka që situata të mos përshkallëzohej. Qëllimi ynë ishte shpëtimi i pengut dhe i jetës së autorit”, tregon polici.

Koroveshaj shprehet se iu afrua automjetit deri në rreth dy metra, ndërsa i gjithë operacioni monitorohej nga efektivët e RENEA-s dhe snajperistët e vendosur në terren.

"Distanca më e afërt ishte rreth dy metra. Ai më tha të mos afrohesha më. Kërcënonte se do vriste veten. Vazhdova negociatat derisa u bë e mundur lirimi i pengut. E gjithë situata monitorohej nga snajperistët. Nuk mendon për frikën në këto momente, por vetëm si të shpëtosh një jetë”, thotë Koroveshaj.

Pas lirimit të Rozalinda Plakës, efektivi tregon se e reja ishte në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike, ndaj u detyrua ta largonte vetë nga zona e rrezikut.

"Vajza kishte dëmtime fizike dhe nuk mund të ecte. Terreni ishte shumë i vështirë, ndaj e mora në krah për ta larguar sa më shpejt nga zona e rrezikut. Pasi e vendosa në një vend të sigurt, u riktheva për të vazhduar negociatat me autorin”, vijon më tej.

Koroveshaj zbulon gjithashtu se kishte pasur kontakt edhe më herët me rastin, pasi Rozalinda Plaka kishte bërë kallëzim ndaj ish-të fejuarit për përndjekje. Ai u ndal edhe te masa e sigurisë "arrest në shtëpi", duke theksuar se kontrollet ishin kryer sipas procedurave.

"Autori ishte me arrest shtëpie dhe është monitoruar në mënyrë të vazhdueshme në zbatim të të gjitha procedurave standarde të policisë për kontrollin e personave me arrest shtëpie. Është monitoruar në mënyrë të vazhdueshme dhe në të gjitha rastet që është kontrolluar autori është gjendur në banesë”, kujton ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ku Refit Buzi vrau me armë gjahu prindërit e ish-partneres së tij, Kosta dhe Belere Plaka, më pas mori peng 24-vjeçaren dhe u largua me automjet.

Pas disa orësh negociata, ai pranoi të lironte Rozalindën, e cila kishte pësuar lëndime nga copat e xhamit të thyer gjatë sulmit në banesën e familjes së saj. Më pas, 35-vjeçari i dha fund jetës brenda automjetit. Sipas familjarëve, ai nuk pranonte ndarjen nga e reja dhe kërkonte kthimin e parave që pretendonte se i kishte dërguar gjatë kohës që punonte në Angli.

flet polici nertil buzi rozalinda plaku

Lini një Përgjigje