TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Mars 2026, 11:55

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Festa e Fitër Bajramit, besimtarët falin Namazin/ Mesazhi kundër luftrave nga sheshi “Skënderbej”

Me mijëra besimtarë myslimanë në të gjithë vendin festojnë sot Fitër Bajramin. Besimtarët në Tiranë falën namazin në sheshin ‘Skënderbej’, nga ku u drejtuan thirrje për më shumë paqe e dashuri mes njerëzve.
Ceremonia nisi në 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, e cilësoi Fitër Bajramin si festën që na kujton vlerat më të larta njerëzore: mëshirën, dashurinë, faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë.

Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi, bashkimi dhe mirësie për çdo familje shqiptare, tha ai.

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Festime Mjeshtri nxjerr gjithë Bulqizën në ankand/ Si po merren tokat e dibranëve për parqe fotovoltaike

Bashkia e Bulqizës shpalli fituesin e një ankandi për dhënien në përdorim të një sipërfaqeje prej 21 hektarësh nga fondi pyjor/kullosor në fshatin Lubalesh, Njësia Administrative Gjoricë, për ndërtimin e një parku me aerogjeneratorë dhe panele fotovoltaike.

Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, ankandi është zhvilluar më 23 shkurt 2026 me procedurë të hapur, ndërsa objekti i tij ishte dhënia në përdorim e tokës për ndërtimin e infrastrukturës së prodhimit të energjisë së rinovueshme, përfshirë stacionet, bazamentet dhe objektet mbështetëse. Lidhja e kontratës për këtë ankand është bërë në datë 9 mars.

Vlera fillestare e ankandit ishte 176 mijë lekë për hektar në vit, që për sipërfaqen prej 21 hektarësh arrinte në rreth 3.69 milionë lekë në vit. Oferta fituese u shpall në vlerën 3,698,100 lekë në vit.

Fitues i ankandit është shpallur subjekti “Balla Energy Group” sh.p.k, me seli në qytetin e Bulqizës dhe në pronësi të plotë të Artan Ballës. Në procedurë rezulton të ketë marrë pjesë vetëm një operator ekonomik.

Procedura e dhënies në përdorim të sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor përmes ankandit rregullohet nga legjislacioni për administrimin e pronës publike dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Sipas këtyre rregullave, ankandi duhet të zhvillohet si një procedurë e hapur dhe transparente, ku autoriteti vendor publikon paraprakisht njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në kanalet zyrtare të komunikimit të bashkisë apo të Këshillit Bashkiak, duke përcaktuar qartë objektin, sipërfaqen, vendndodhjen, vlerën fillestare dhe kushtet e përdorimit të pronës.

Megjithatë, në këtë rast nuk rezulton të ketë pasur një njoftim publik në kanalet e komunikimit të Bashkisë apo të Këshillit Bashkiak për hapjen e ankandit.

Ervin Salianji kandidon për kryetar/ "Flamur Nokën s'do e mbaja as për roje tek PD”

Ish-deputetit të PD, Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj Flamur Nokës.

Gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë”, Salianji thekoi se Noka ka qenë ‘fytyra e dështimit të PD’.

Ai nënvizoi se PD duhet të shkojë drejt parimeve të rëndësishme dhe të jetë një parti e lirë.

“Influenca e shtetit në zgjedhje është në një nivel të caktuar dhe influenca e grupeve kriminale është në një nivel të caktuar. Por nëse ne rrimë vetëm në këtë dimension ne nuk fitojmë kurrë. Ne nuk mund të jemi si Rama. Por nuk mund të mundim Ramën, me një Ramë tjetër brenda partisë. Nokën edhe rojë nuk e mbaj unë po të jetë për mua. Ai është një njeri që ka probleme me ligjin, me grupe kriminale, ka akuza për korrupsion. Dhe ai është fytyra e dështimit të PD dhe aksidenti më i madh që ka PD”, u shpreh Salianji.

I pyetur pse Berisha e mban afër, Salianji tha se "vetëm ai mund të thotë ato gomarllëqe"
Rritja e çmimit të naftës

Qeveria rikthen Bordin e Transparencës!

Qeveria ka vendosur të ngrejë Bordin e Transparencës pas rritjes së çmimit të naftës në treg, që ka arritur në 214 lekë për litër. Vendimi u bë i ditur nga Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Sipas saj, vendimi vjen pas një analize të detajuar të situatës së tregut dhe zhvillimeve të fundit që kanë ndikuar në çmimet.

Ministrja shtoi gjithashtu se Bordi do të mblidhet sa herë që do të ketë ndryshime të ndjeshme në bursë, duke vendosur çmime tavan për tregtimin e karburanteve. Shkeljet nga operatorët do të penalizohen deri në pezullim licence.

Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, gjatë një konference ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe ministri Karakaçi, ministrja Ibrahimaj ishte shprehur se nuk ekzistonin ende kushtet për ngritjen e një Bordi të Transparencës, duke lënë të kuptohej se një ndërhyrje e tillë nuk ishte e nevojshme në atë moment.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje