Protesta kombëtare para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 35-të, ndërsa është shoqëruar me disa akte simbolike të protestuesve.
Pas tortës me mesazh politik dhe arkivolit simbolik, protestuesit sollën edhe një palë rroba burgu, të cilat i paraqitën si "dhuratën" e radhës për kryeministrin Edi Rama.
Më herët gjatë protestës, me rastin e ditëlindjes së kryeministrit, u ekspozua një tortë ku ishte shkruar mesazhi: "Populli të uron! Jepe dorëheqjen, merr dhe Saliun me vete", ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin: "Edhe 100 vite në burg".
Në bulevard u vendos edhe një tortë prej betoni, që protestuesit e paraqitën si simbol të betonizimit të vendit.
Protesta, e cila fillimisht nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është zgjeruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera politike. Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje si "Rama në burg, Berisha në burg", "Dorëheqje", "Revolucion", "Shqipëri e re" dhe "Lironi çunat", në mbështetje të protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë në protestën para Kuvendit.
Protesta vijon me fjalime të qytetarëve nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, ndërsa bulevardi mbetet i mbushur me flamuj kuqezi, flamuj amerikanë me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, si dhe me pankarta e simbolin e flamingos, që organizatorët e konsiderojnë tashmë identitet të kësaj lëvizjeje qytetare.
Lini një Përgjigje