Aktualitet 5 Korrik 2023, 14:08

Vendimi i qeverisë për punësim të detyruar, studentët e Mjekësisë paralajmërojnë protestë

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i qeverisë për punësim të detyruar, studentët e

Studentët e mjekësisë kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një protestë ditën e nesërme.

Shkak për këtë është bërë projektligji që pritet të miratohet në korrik, ku thuhet se studentët që nisin këtë vit shkollën për mjekësi, do të duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri pasi të kenë përfunduar studimet dhe më pas të pajisen me diplomë.

Studentët e kanë kundërshtuar këtë vendim. Ata bëjnë me dije se protesta do të mbahet ditën e nesërme në orën 10:00 pranë Fakultetit.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme se studentët e mjekësisë të cilët përfundojnë studimet do u duhet 5 vite që të marrin diplomën pas përfundimit të studimeve.

Rama tha se nuk është kusht, por është formati i ri i universitetit të ri të mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës.

"Në kushtet kur Gjermania dhe shtetet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim ketë hap, që është hapi më normal dhe hapi më i lehtë. Që do të thotë çdo student i Mjekësisë që do hyjë në Universitetin e Mjekësisë do duhet të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për t’u pajisur me diplomë duhen edhe 5 vjet në shërbim të këtij populli. Ndërkohë që për të gjithë ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, por është absolutisht zgjedha e tyre.Ndërkohë që për ata që do hyjnë në vitin e 1 ka vetëm një zgjedhje. Ata që do duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik do duhet të plotësojnë këtë kusht.

Nuk ndryshon asgjë në thelb të së drejtës dhe ushtrimit të profesionit por ama duhet të bëhet këtu, sepse për këtë paguan populli shqiptar taksa, nuk paguan që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat, të ikin që ditën e parë, ama patjetër që nuk u ndalet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet që të lagohen nëse duhet të largohen, por për vitet e mbetura do duhet të paguajnë një tarifë tjetër që mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student.", tha Rama.

studentet e mjeksise protest punesim i detyruar