Një kapiten shqiptar 45 vjeç, është arrestuar nga autoritetet portuale në Korfuz, pasi trageti që ai drejtonte rezultoi të kishte në bord një numër pasagjerësh mbi kapacitetin e lejuar.
Sipas mediave greke, trageti, i cili lundronte nën flamurin e shtetit Saint Kitts dhe Nevis, kishte mbërritur në portin e Korfuzit nga një port në Shqipëri. Gjatë kontrollit të kryer pas ankorimit, oficerët e Autoritetit Qendror Portual konstatuan se në bord ndodheshin më shumë pasagjerë sesa parashikohej në certifikatën e lundrimit të mjetit.
Pas verifikimeve, 45-vjeçari u vu në pranga nën dyshimin për shkelje të legjislacionit detar grek, përfshirë dispozitat që lidhen me transportin e pasagjerëve mbi kufirin e lejuar dhe rregullat për regjistrimin, kontrollin dhe evidentimin e tyre.
Autoriteti Qendror Portual i Korfuzit ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, ndërsa paralelisht është vënë në lëvizje edhe procedura për vendosjen e masave administrative të parashikuara nga ligji.
Lini një Përgjigje