Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri ka komentuar qëndresën popullore për rrëzimin e qeverisë Ramë, duke theksuar se protesta masive që po vijon prej 47 ditësh është një lëvizje e pastër qytetare dhe jo partiake.
Sipas tij, kërkesa e panegociueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama është tërësisht legjitime përballë skandaleve të shumta të qeverisë.
Kapri sqaroi se forca e kësaj proteste qëndron te faktit se ajo nuk është thirrur apo organizuar nga partitë politike, por ka buruar direkt nga revolta e qytetarëve, të cilët kanë shpalosur qartë kërkesat e tyre për një ndryshim rrënjësor në vend.
“Kjo është protesta e parë qytetare politike, jo partiake. Nuk është thirrur nga parti politike. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës është politike dhe ajo do t’i hapte rrugën proceseve të tjera që janë ideuar në shesh. Nuk është sakrilegj të kërkosh dorëheqjen e një kryeministri që nuk është më legjitim, që është i përfshirë në korrupsion, ka afera dhe qeveris popullin më të varfër të Evropës”, u shpreh deputeti për "News 24".
Sipas deputetit të Partisë “Mundësia”, refuzimi i kryeministrit për të lëshuar karrigen e pushtetit lidhet me frikën e madhe nga llogaridhënia përpara institucioneve të reja të drejtësisë.
“Dorëheqja do të ishte rruga më e lehtë për Edi Ramën. Ai refuzon ta japë sepse trembet nga ajo që mund të vijë pas. Nuk e shoh të jetë imun ndaj aferave korruptive që kanë pasur lejen dhe miratimin e tij gjatë qeverisjes. Ai po lufton me mish e me shpirt sepse i trembet fatit të tij politik dhe veçanërisht përballjes me drejtësinë”, deklaroi Kapri.
Në përfundim të fjalës së tij, Kapri dënoi gjuhën e përdorur nga kreu i qeverisë ndaj protestuesve, si dhe tentativat e policisë për të bërë presion mbi masën e njerëzve që mbushin sheshet çdo ditë.
“Rama u tha se qytetarët janë grekë, iranianë, serbë, i ka quajtur edhe ‘sorra’. Policia ka bërë presion, por sërish njerëzit nuk janë trembur dhe po qëndrojnë. Kjo protestë do ta anëtarësojë Shqipërinë në BE, jo Edi Rama”, përfundoi Erald Kapri.
Lini një Përgjigje