TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Maj 2023, 20:41

Vetingu, ONM kërkon ankimimin e vendimeve për Naim Totën dhe Laurent Fuçinë

Shkruar nga Pamfleti

Vetingu, ONM kërkon ankimimin e vendimeve për Naim Totën dhe

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka kërkuar ankimimin e vendimeve të KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Naim Tota dhe gjyqtarit Laurent Fuçia.

Tota u konfirmua në detyrë prej Komisionit me shumicë votash më 10 mars 2023, pasi shpjegimet e tij për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin u konsideruan bindëse nga shumica e përbërë nga komisioneret Brunilda Bekteshi dhe Pamela Qirko.

Anëtari në pakicë, Roland Ilia kërkoi shkarkimin e Totës, duke çmuar se ai nuk kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë. Sipas Ilias, subjekti nuk dha shpjegime bindëse lidhur me një apartament të blerë nga kunati në vitin 2016 nëpërmjet një kontrate cedimi, pasuri për të cilën u ngritën fillimisht dyshime se ishte fshehur për 12 vjet, pasi ishte përdorur vetëm nga prokurorit Tota prej vitit 2004.

Ilia nuk e vlerëson bindëse përgjigjen e subjektit se lidhja e posaçme familjare; fatkeqësia familjare në vitin 2006 kur i ndërroi jetë bashkëshortja e ndjerë; si dhe huadhënia e shumës 40 mijë euro kunatit, ende e pashlyer – janë arsye të përfitimit në vitin 2004 dhe gëzimit të kësaj banese pa kundërshpërblim, për 12 vjet.

Po ashtu, Ilia ndryshe nga shumica, çmon se subjekti nuk arriti të provojë aftësinë paguese të kunatit për të blerë këtë apartament në vitin 2003, kundrejt vlerës 50 mijë euro që po aq pagoi edhe Tota në 2016-ën, duke mos e përmbysur dot barrën e provës të ngritur gjatë hetimit paraprak.

Lidhur me këtë pasuri, ONM vëren se i afërmi i subjektit, megjithëse ka paguar një vlerë të konsiderueshme në vitin 2003, nuk e ka përdorur dhe nuk ka pasur përfitime nga kjo pasuri. Po ashtu, ONM nuk ndan të njëjtin qëndrim me shumicën lidhur me konkluzionin se, familja e blerësit kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për pagesën e çmimit të kësaj pasurie në vitin 2003.

ONM konkludon se poseduesi dhe pronari defacto i kësaj pasurie që prej vitit 2004, ka qenë subjekti i rivlerësimit. “Situata faktike e vitit 2016 ishte vetëm legalizimi formal i transferimit të pasurisë që ishte e tij për 12 vjet”, konsaton ONM dhe kërkon që kjo situatë të konsiderohet në vlerësimin e përgjithshëm në lidhje me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Sa i takon Laurent Fuçisë, ai u konfirmua në detyrë nga KPK më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritursa në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme dhe në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta. Për rrjedhojë, në vlerësimin tërësor të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, në përfundim u konkludua se Fuçia është i aftë profesionalisht.

Por ONM vlerëson ndryshe, ndërsa çmon se vlerësimi i saktë i provave të çështjes dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor përkatës, do t’i japë bazë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rrëzojë vendimin e Komisionit. ONM kërkon rishikim gjyqësor për të gjithë shtyllën e vlerësimit të aftësive profesionale.

Lidhur me një ankesë të Prokurorisë së Përgjithshme për mosrespektim formal të ligjit në revokimin e një mase arresti dhe shuarjen e masës të një personi të kërkuar për ekstradim, ONM vlerëson se pavarësisht justifikimeve të subjektit për paqartësinë e dispozitës ligjore, është e qartë se interpretimi i tij i gabuar ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së dy procedurave të ndara, atë të zbatimit të masës së sigurisë dhe vendimmarrjes për ekstradimin.

Në vijim, ONM parashtron një vendim të Fuçisë, duke theksuar se pjesa e dytë e arsyetimit rrëzon të parën. “Është flagrante dhe e pashpjegueshme,” vlerëson ONM dhe evidenton vendimmarrje të nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe pa marrë parasysh faktet e çështjes.

ONM konstaton se sjella e subjektit gjatë një gjykimi ngre dyshime për integritetin. Po ashtu, në rekomandim theksohet se shkeljet procedurale mbeten.

“Komisioni dështoi të zbatonte standardet e sakta për vlerësimin e aftësisë profesionale … dhe bëri një referencë selektive e të paplotë të standardeve paraprake,” citohet në rekomandimin e ONM-së, që e konsideron të nevojshëm shqyrtimin e çështjes nga KPA për të vlerësuar nëse Fuçia ka arritur nivelin minimal për profesionalizmin, sipas parashikimeve të legjislacionit për vetingun e magjistratëve. /BIRN

kpk vetingu onm

Lini një Përgjigje