
Shirat e rrëmbyeshëm të ditës së sotme në të gjithë vendin dhe kryesisht në pjesën jugore të vendit, kanë shkaktuar fryrje të lumenjve dhe prurje, që kërcënojnë vazhdimisht me përmbytje masive dhe katastrofë natyrore.
Situata në zonën e Vlorës paraqitet kritike për shkak të lumit Vjosa, i cili ka arritur pikën maksimale në zonën e “Urës së Mifolit” dhe madje në disa vende ka dalë nga shtrati.
Sipërfaqe të konsiderueshme janë përmbytur dhe po rrezikohet jeta e banorëve. Autoritetet e Emergjencave kanë bërë evakuimin e menjëhershëm të banorëve. Të paktën 20 familje raportohet se janë evakuuar deri tani dhe aksioni është në proces.
Ndërkohë emergjencat civile të bashkisë së Vlorë, efektivë të policisë ndodhen në zonë. Niveli i ujit në urën e Mifolit është në rritje. Ndërkohë, autoritet po punojnë për forcimin e argjinaturës për të parandaluar çarjen e argjinaturës.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, deklaroi se prurjet janë në pikën më të lartë dhe se orët në vijim do të jenë vendimtare.
“Situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra. Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve”, tha Mersini.
Ajo shtoi se janë identifikuar edhe familje të tjera në zonë rreziku, të cilat mund të evakuohen nëse niveli i ujit rritet më tej.
“Në një zonë risku kemi 6 familje që, në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar”, u shpreh kryebashkiakja.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.
“Strukturat e policisë janë të gjitha në gatishmëri. Kemi vënë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë dhe, në rast nevoje për evakuim, policia dhe emergjencat civile do të ndërhyjnë kudo të jetë nevoja”, deklaroi Çela.
Lini një Përgjigje