TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 18:41

SPAK zbuloi nëpërmjet përgjimeve skemën e blerjes së votës, GJKKO dënon 4 të pandehurit

Shkruar nga Pamfleti
SPAK zbuloi nëpërmjet përgjimeve skemën e blerjes së
Foto ilustruese

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë katër persona të akuzuar për shit-blerje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, duke dhënë dënime me burg që më pas janë konvertuar në shërbim prove dhe punë në interes publik.

Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit Ndoc Guri dhe Arben Kolaj, të akuzuar për veprat penale të blerjes dhe shitjes së votës, janë dënuar përfundimisht me nga 1 vit e 4 muaj burg secili. Megjithatë, GJKKO ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke i vendosur të dy nën shërbim prove për një periudhë prej 2 vitesh e 8 muajsh.

Gjatë kësaj periudhe, ata duhet të mos kryejnë asnjë vepër tjetër penale dhe të mos shoqërohen me persona të dënuar.

Për të pandehurin Ndrekë Lera, i akuzuar për blerje votash, gjykata ka caktuar një dënim prej 2 vitesh burg, por edhe në këtë rast ka vendosur pezullimin e vuajtjes së dënimit, duke e vënë atë në shërbim prove për katër vjet, me të njëjtat kushte ligjore.

Ndërkohë, Ilir Sokoli, gjithashtu i shpallur fajtor për blerje votash, është dënuar me 1 vit burg, por GJKKO vendosi pezullimin e dënimit dhe zëvendësimin e tij me 120 orë punë në interes publik.

Skema e hetuar nga SPAK

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar një skemë të organizuar korrupsioni zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku qytetarëve u ofroheshin përfitime financiare në këmbim të votës.

SPAK thotë se në shumë raste janë ofruar rreth 5 mijë lekë për votë, ndërsa pagesat kryheshin drejtpërdrejt ose përmes personave të tretë, të cilët angazhoheshin për të bindur zgjedhës të tjerë të votonin në favor të një subjekti politik.

Roli i përgjimeve

Prokuroria bën me dije se gjatë hetimeve janë përdorur mjete të posaçme hetimore, përfshirë përgjime telefonike, të cilat sipas saj dokumentuan mënyrën e funksionimit të skemës.

Sipas SPAK, përgjimet kanë evidentuar se Ndrekë Lera kishte një rol të rëndësishëm në organizimin e aktivitetit, duke u përfshirë në biseda që lidhen me premtimin dhe shpërndarjen e pagesave për vota në favor të një force politike.

Vendimi i GJKKO-së nuk është përfundimtar dhe mund të ankimohet në Apelin e Posaçëm.

spak gjkko

Lini një Përgjigje